300 mijë euro për ujësjellësit e ndërtuar në dy fshatra të Komunës së Gjilanit

Published on Aug 24 2012 // Lajme
..

Gjilan – Sot është nënshkruar marrëveshja në mes të kryetarit të Komunës Qemajl Mustafa, drejtoreshës së Hidromoravës Myrvete Hoti dhe përfaqësuesve të fshatrave Miresh e Llovcë, që rrjeti i ujësjellësit në këto dy fshatra i ndërtuar nga Komuna, Qeveria dhe donatorët të kalojnë në menaxhim e Kompanisë Rajonale të Ujit “Hidromoravës”.

Me këtë rast, kreu  i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa tha se po bëhet një punë e mirë në shtrirjen e rrjeteve të ujësjellësit edhe nëpër viset rurale dhe se këto asete të rëndësishme për këto dy fshatrave po kalojnë në menaxhim të KRU “Hidromorava”, por se qytetarët e kësaj ane duhet të jenë të përgjegjshëm dhe ujin ta shfrytëzojnë racionalisht për atë çfarë është i destinuar. Vërtet uji është jetik për të gjithë qytetarët andaj ta ruajm dhe kursejmë atë të gjithë së bashku.

Ky projekt, për ujin e pijes për fshatrat Mireshin e Llovcën ka kushtuar mbi 300 mijë euro, ka thënë kryetari Mustafës dhe tani shumica e fshatrave të Gjilanit, kanë rrjetin e ujësjellësit, por  sipas tij me disa është një përvojë jo e mirë e shfrytëzimit të tij, andaj ka kërkuar nga përfaqësuesit e fshatrave ti ruajnë këto asete dhe të jenë të përgjegjshëm edhe karshi “Hidromoravës” me kryerjen e obligimeve e edhe karshi përdorimit të ujit, duke mos e keqpërdorë atë. “Bartja e këtyre rrjeteve në menaxhim të “Hidromoravës” është shumë me rëndësi dhe besoj se shkalla e inkasimit nëpër fshatra që nuk është e kënaqshme, tani do të rritet, do të evitohen më lehtë problemet teknike dhe ujë do të ketë më me bollëk”, theksoi ndër të tjerash kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa.

Mesazhi i kryetarit të Komunës duke e parë gjendjen e palakmueshme nëpër të cilën po kalon Kompania e Ujit “Hidromorava”, shkaku i mospagesës së ujit të shfrytëzuar, ka kërkuar nga qytetarët që t’i kryejnë obligimet, pastaj të vetëdijesohen që uji të mos derdhet kot, të ruhet ai e të krijohet sjellja etike dhe e moralshme ndaj të tjerëve, ngase nëse dikush harxhon pa nevojë ujin, tjetri do të mbetet pa te.

Mirvete Hoti, drejtoreshë në KRU “Hidromorava”, para përfaqësuesve të këtyre dy fshatrave dhe para të pranishmëve të tjerë, tha se si kompani kanë përvojë të keqe me disa fshatra, por nga qytetarët e Mireshit dhe të Llovcës ajo kërkoi që pasi kanë pritur gjatë për ujë atë tani e kanë. Ajo beson se do të hasin në mirëkuptim dhe do t’i përgjigjen rregullave të kompanisë që të gjithë të kemi ujin e pijes, gjithashtu ka kërkuar që të kursehet uji e të mos shteren burimet, ndërkohë që edhe pagesa të bëhet në mënyrë  të rregullt që edhe menaxhimi të jetë më i  mirë.

Përfaqësuesit e fshatrave Ekrem Kryeziu nga Mireshi dhe Nuhi Xhelili, nga Llovca, falënderuan Komuna dhe donatorët që kanë bërë punë të madhe dhe se do të ndikojnë te qytetarët që të jenë më të përgjegjshëm, nga siç thanë ata uji është jetik për ato familje që jetojnë në ato pjesë. /RadioRINIA/

Leave a comment