Home LAJME A do të arrihet këtë javë koalicioni LV-LDK?

A do të arrihet këtë javë koalicioni LV-LDK?

343
0
SHARE

Seanca e parë e legjislaturës së shtatë do të mbahet këtë të enjte, por nuk dihet nëse do të ndodhë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), të cilat në parim janë pajtuar për bashkëqeverisje, nuk kanë arritur ende një marrëveshje konkrete për koalicion qeverisës.

Në negociatat për qeverisje, LV-ja si subjekt fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit ka bërë me dije se në marrëveshje nuk duhet të përfshihet posti i presidentit, ndërsa LDK-ja ka këmbëngulur se në marrëveshjen mes këtyre dy subjekteve politike duhet të përfshihet patjetëedhe posti i presidentit.

Njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se këto dy subjekte politike duhet të bëjnë koalicion, ndonëse kohët e fundit i kanë vështirësuar bisedimet. Shkëlzen Maliqi dhe Behxhet Shala kanë deklaruar për “Epokën e re” se LV-ja dhe LDK-ja po e shantazhojnë njëra-tjetrën.

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se mund të ketë një marrëveshje LV-LDK për bashkëqeverisje në çastet e fundit, duke shtuar se kjo marrëveshje mund ta ketë shijen e hidhët për palën që do t’i nënshtrohet shantazhit. “Alternativë praktikisht nuk ka, vetëm teorikisht mund të ndodhë që të nominohet një mandatar i dytë, që nuk është Albin Kurti. Alternativë reale janë zgjedhjet nëse nuk ka marrëveshje koalicioni. Besoj se marrëveshja do të arrihet por, ndoshta, me shijen e hidhët të imponimit për atë palë që do t’i nënshtrohet shantazhit”, ka thënë Maliqi.

Ai beson se në marrëveshje në mes të këtyre dy partive do të përfshihet edhe çështja e postit të presidentit të ardhshëm. “Besoj se të paktën për presidentin do të ketë marrëveshje që atë ta propozojë LDK-ja, por që LV-ja ta konfirmojë si propozim të pranueshëm, nëse vlerëson se është personalitet që garanton përfaqësimin e interesave të vendit në përgjithësi dhe nuk është thjesht argat i LDK-së”, ka thënë Malqi.

Kurse analisti tjetër Behxhet Shala ka vlerësuar se këto dy parti janë të detyruara t’i formojnë institucionet. “Tash është shumë e pandershme dhe moralisht e papranueshme që partneritetin ta zëvendësoni me kushtëzim se: ‘Nëse nuk bëjmë marrëveshje si duam ne, kalojmë në opozitë…’ apo se LV-ja ka detyrim të formojë institucionet duke ua pamundësuar këtë skajshmërisht pandershëm me kushtëzime. Në rastin konkret, shumë më korrekte po tregohen partitë opozitare që po kërkojnë formimin e institucioneve, pa e kushtëzuar me asgjë, se LDK-ja e rënë në dashuri kokë e këmbë me veten e saj dhe duke jetuar nga e kaluara, përkatësisht duke e keqpërdorur edhe personalitetin dhe varrin e Ibrahim Rugovë”, ka thënë Shala.

Ai ka vlerësuar se nëse këto parti e do ndryshimin, duhet t’i formojë sa më shpejt institucionet. “Nëse duan ndryshime, e kanë rastin, le t’i formojnë institucionet dhe le t’i grahin punës. Nëse punojnë mirë vetë populli do të kërkojë që presidenti të zgjidhet nga radhët e këtyre dy partive që, herë po duhen me një pasion të madh, kurse të nesërmen po e shajnë njëra-tjetrën duke kujtuar shishet molotov, sulmet me gaz lotsjellës, vezët e ziera dhe të paziera etj”, është shprehur Shala.

 fundi edhe faktori ndërkombëtar ka shtuar presionin për formimin e institucioneve të reja. ShBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe javën që lamë pas kanë kërkuar formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re. Por, zyrtarët e lartë të LV-së dhe të LDK-së nuk kanë mohuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja nëse nuk pajtohen për bashkëqeverisje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here