Home LAJME Bashkëshortja e Sami Lushtakut dënohet me gjobë për rastin e arratisjes së...

Bashkëshortja e Sami Lushtakut dënohet me gjobë për rastin e arratisjes së tij nga QKUK-ja

316
0
SHARE

Bashkëshortja e ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, Mirvete Hasani Lushtaku, është dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi është shpallur fajtore se ka mundësuar arratisjen e Lushtakut nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK).

Por, ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarës është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 3500 euro, të cilën nëse nuk e paguan, dënimi do t’i shndërrohet me burg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo është obliguar që të paguajë edhe 50 euro në emër të paushallit gjyqësor, derisa palët e pakënaqura kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur pasi që dy ditë më parë ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë, pas së cilës edhe ishte veçuar procedura ndaj saj.

Në këtë rast, përveç Sami dhe Mirvete Lushtakut po akuzohen edhe djali i tyre Mërgim Lushtaku, Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, nga QKUK-ja kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Në seancën e mbajtur më 2 dhjetor, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Florije Shamolli, kishte thënë se marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur me të akuzuarën Mirvete Hasani Lushtaku dhe mbrojtësin e saj.

“Siç iu kam njoftuar në seancën e kaluar e akuzuara Mirvete Hasani, përmes avokatit të saj ka bërë një kërkesë për inicimin e procedurës për marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe konform dispozitave kemi arritur një marrëveshje, të cilën në afatin kohor e kam dorëzuar në gjykatë. Andaj i propozoj gjykatës që për Mirvete Hasanin të veçohet procedura penale dhe aty do t’i paraqes arsyet e lidhjes së kësaj marrëveshje”, kishte thënë prokurorja Shamolli.

Duke u përgjigjur në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, e akuzuara Mirvete Hasani Lushtaku, kishte thënë se këtë marrëveshje e kishin lidhur me pajtim të plotë, se është e vetëdijshme për pasojat e arritjes së kësaj marrëveshje, si dhe ishte njoftuar nga mbrojtësi i saj, lidhur me të drejtat e pranimit të fajësisë.

Mbrojtësi i të akuzuarës Hasani Lushtaku, avokati Visar Rrecaj, kishte deklaruar se kjo marrëveshje është bërë pas konsultimit të mjaftueshëm me klienten e tij.Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha. Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria. Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here