Bora që ka rënë ditëve të fundit ka vështirësuar jashtëzakonisht shumë qarkullimin e automjeteve nëpër rrugët magjistrale dhe rajonale të Kosovës. Nga të gjitha rrugët rajonale, gjendja më e vështirë është ajo në rrugën që lidh Kosovën me Malin e Zi. Policia e rajonit të Pejës në paraditen e së mërkurës ka ndaluar qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë, nën arsyetimin se aksi rrugor në territorin malazez është i pakalueshëm.
“Pjesa e rrugës në territorin e Republikës së Kosovës është pastruar nga bora, por pjesa e rrugës pasi ta kalosh Kullën në territorin e Republikës së Malit të Zi është e bllokuar, pasi nuk është pastruar”, ka thënë zëdhënësi i policisë së Pejës, Zeqir Kelmendi, duke arsyetuar vendimin e policisë që të mos qarkullohet në këtë rrugë.
Gjendje e vështirë të mërkurën ka mbizotëruar edhe në rrugët e Komunës së Malishevës. Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, Alban Kastrati, ka thënë se ka shumë vështirësi për qarkullimin e automjeteve, por rrugët në përgjithësi janë të kalueshme.
“Që nga mëngjesi, punëtorët e ndërmarrjes “Lumi” (kompanisë për pastrimin e rrugëve) janë të angazhuar nëpër rrugët lokale të fshatrave kryesisht të thella të kësaj komune si në
Ngucat, Bardh dhe fshatra tjera të Bjeshkëve të Berishës”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se rrugët rajonale Malishevë – Kijevë dhe Rahovec – Arllat janë të kalueshme.
Qarkullimi i automjeteve është vështirësuar edhe në rrugët e Komunës së Vushtrrisë, në veçanti ato në zonat më të thella malore. Përgjithësisht qarkullimi ka qenë më i vështirë gjatë orëve të paradites, ndërkaq, pasdite është lehtësuar pak për shkak të intervenimit të kompanive që merren me mirëmbajtjen e rrugëve.
Përveç rrugëve në zonat më të thella malore, probleme në qarkullim ka pas edhe në rrugët rajonale të ndërtuara së voni, si rruga Vushtrri-Skenderaj, rruga alternative Vushtrri-Mitrovicë, dhe rrugët Vushtrri-Mihaliq e Vushtrri Samadrexhë. intervenimi i kompanive që veprojnë nën ombrellën e Ministrisë së Infrastrukturës është bërë shumë vonë.
“Të gjitha rrugët në qytet janë të hapura, por vështirësi janë paraqitur në fshatrat Zhilivodë, Strofc e Druarë, por që intervenimi për hapjen e rrugëve është bërë në orët e pas ditës”, ka thënë Sami Istrefi , drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Vushtrrisë.
Përveç rrugëve që kanë pasur vështirësi në qarkullim, për shkak të borës së madhe ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka marrë vendim që për dy ditët e ardhshme, të enjten dhe të premten të ndërprehet procesi mësimor në të gjitha shkollat publike.
Ndërkaq, Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka deklaruar për “Zërin” se të gjitha rrugët janë të kalueshme por me vështirësi, përjashtuar rrugët malore, ndërkaq, problem po paraqesin reshjet e pandërprera, të cilat po i mbushin rrugët me borë në kohën kur kompanitë e ndryshme po i pastrojnë ato.
Të reshurat e fundit të borës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim edhe në rajonin e Ferizajt, përfshirë edhe dy komunat Shterpcë dhe Shtime. Ndonëse autoritet komunale dhe burime policore kanë theksuar se të gjitha rrugët janë të pastruara dhe të kalueshme, me ndonjë përjashtim, banorët e disa fshatrave kanë deklaruar se kanë mbetur plotësisht të bllokuar.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se përveç rrugës Kullë –Rozhajë, e cila është bllokuar për shkak të mospastrimit të rrugës në territorin malazez, të gjitha rrugët tjetra janë të kalueshme, ndonëse me vështirësi.
“Ka vështirësi në pjesët malore, në Brezovicë, Gllogoqicë, Dragoshi, Prevallë. Nëpër të gjitha këto rrugë është vështirësuar qarkullimi”, ka thënë Kelani, duke shtuar se nëpër disa rrugë është e pamundur të kalohet pa pajisje dimërore.
Ai ka treguar se tek pika kufitare Dheu i Bardhë gjatë ditës ka dalë nga rruga një kamion, ndërsa njëra korsi e rrugës është bllokuar për automjetet e rënda, por kjo gjendje ka ndryshuar më pas











