Home LAJME Drejtori i Policisë dëshmon për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja

Drejtori i Policisë dëshmon për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja

325
0
SHARE

Për arratisjen e Sami Lushtakut nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), të mërkurën, pritet të dëshmojë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj

Në këtë rast, përveç Sami dhe Mirvete Lushtakut po akuzohen edhe djali i tyre Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt nga QKUK-ja kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë rast, bashkëshortja e Lushtakut, Mirvete Hasani Lushtaku, më 4 dhjetor 2019, është dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi që ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë, pas së cilës edhe ishte veçuar procedura ndaj saj.

Por, ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarës është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 3500 euro, të cilën nëse nuk e paguan, dënimi do t’i shndërrohet me burg.

Ndërsa, gjykimi ka vazhduar me të akuzuarit e tjerë në këtë rast, ku në seancën e së mërkurës, dëshminë e tij pritet ta jep drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Por, në këtë seancë ka munguar i akuzuari Dardan Geci, i cili sipas gjykatësi Hoti, nuk e kishte njoftuar gjykatën për mungesën e tij.

Për këtë arsye, seanca është ndërprerë për 15 minuta, ku trupi gjykues ka njoftuar se kishin biseduar me të akuzuarin Geci, i cili e kishte njoftuar gjykatën se për pak minuta do të paraqitet në seancë.

Paraprakisht, mbrojtësi i Sami Lushtakut, avokati Artan Qerkini e ka kundërshtuar vendimin e trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti, për veçimin e procedurës për të akuzuarin Sami Gjoka, që kishte munguar në seancën e kaluar dhe bashkimin e procedurës ndaj tij, në seancën e së mërkurës.

Për shkak se në seancën e 2 dhjetorit 2019, ishte bërë veçimi i procedurës ndaj të akuzuarit Sami Gjoka, pasi që ai kishte munguar, në seancën e së mërkurës, trupi gjykues mori aktvendim për bashkimin e procedurës ndaj tij.

Këtë praktikë, e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Sami Lushtaku, avokati Artan Qerkini, pasi sipas tij të akuzuarit ndaj të cilit në një seancë po veçohet procedura po i mohohet e drejta për marrjen e provës.

Mirëpo, lidhur me këtë, gjykatësi Shashivar Hoti ka thënë se në seancën në të cilën kishte munguar i akuzuari Gjoka, kishte qenë prezent mbrojtësi i tij, avokati Hamdi Jashanica.

“E dimë që prezenca e avokatit nuk e zëvendëson të akuzuarin, por nuk kemi pasur zgjidhje tjetër, ne e kemi konsideruar se nuk është pengesë procedurale sepse i akuzuari mundet me u shërby me procesverbalin e seancës, ne mujm me ftu dëshmitarin edhe një herë”, ka thënë gjykatësi Hoti.

Ndërsa, avokati Qerkini ka thënë se prezenca e avokatit nuk e zëvendëson të akuzuarin.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. /RadioRinia/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here