Eksporti i çimentos në Kosovë, Jaka: Kusari Lila të heqë taksën
Tiranë – Pas vendimit të Ministres së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Mimoza Kusari Lila për vendosjen e një tarife prej 35 % për çimenton e importuar, taksë që ka pasuar bllokimin e eksportit të çimentos nga Shqipëria, Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë Nikolin Jaka i bëri thirrje ministres kosovare të heqë këtë taksë dhe të marrë vendime të drejta për eksportin e çimentos, ashtu siç mori vendim për heqjen e tarifës për pataten, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Jaka theksoi se eksporti i çimentos drejt Kosovës është në ngërç të plotë, andaj ai i bëri apel Qeverisë Shqiptare të reagojë dhe të komunikojë me Qeverinë e Kosovës në mënyrë që të zgjerohet taksa e çimentos me qëllimin e partneritetit mes vendeve.
“Presim një reagim nga ministrja kosovare e Tregtisë për çimenton, siç reagoi edhe për pataten. Qeveritë e dy vendeve duhet të nxisin prodhuesit dhe sipërmarrësit e tyre. METE duhet të reagojë për të bërë një partneritet me qeverinë e Kosovës”, theksoi Jaka.
Kreu i Dhomës së Tregtisë bëri me dije se bizneset përballen me tarifa doganore të panevojshme mes dy vendeve, duke apeluar se duhet të stimulohen bizneset me qëllimin e unifikimit të tregut fiskal mes dy vendeve.
Ministrja e Tregtisë së Kosovës Mimoza Kusari Lila e ka argumentuar vënien e tarifës për eksportin e çimentos si një masë për të mbrojtur prodhimin vendas të Kosovës sa i përket produktit të çimentos.
Më herët për vendimin e ndërmarrë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë reaguar edhe autoritetet të METE-s, të cilët thonë se do t’i drejtohen sekretariatit të CEFTA-s për shkeljen e kësaj marrëveshjeje.
Mes Shqipërisë dhe Kosovës ka një marrëveshje të Tregtisë së Lirë, që prej vitit 2003, që synon krijimin e një zone të tregtisë së lirë ndërmjet dy vendeve. mit/noa.al /RadioRINIA/










