Home LAJME Ekzekutivi i Kosovës me rezultatin më të ulët rajonal të transparencës

Ekzekutivi i Kosovës me rezultatin më të ulët rajonal të transparencës

358
0
SHARE

Pushteti ekzekutiv i Kosovës renditet i fundit në rajon për transparencë. Kjo pasi Zyra e Kryeministrit ka rezultatin të ulët të hapjes institucionale me vetëm 41 përqind, 19 përqind më ulët se vitin paraprak. Ndërsa, hapja zvogëlohet edhe më tej drejt organeve më të ulëta në hierarki, ku ministritë kanë shënuar 37 përqind dhe agjencitë ekzekutive 15 përqind.

Kështu u tha me rastin e lansimit të analizës “Qeverisja e Hapur e Pushtetit Ekzekutiv në rajon dhe në Kosovë”, e cila analizon nivelin e transparencës, hapjes dhe llogaridhënies së pushtetit ekzekutiv në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe përfshinë propozime për përmirësimin e gjendjes aktuale.

E nëse krahasohet me matjet e vitit të kaluar, ku Zyra e Kryeministrit kishte shënuar 60 për qind dhe renditej e dyta, shihet një rënie e konsiderueshme këtë vit.

Libor Chlad, zëvendësshef i seksionit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, tha se transparenca është shumë me rëndësi, pasi njëherit monitoron edhe procesin e vendimmarrjes.

Ai u shpreh se krahas llogaridhënies, po aq i rëndësishëm është mënjanimi i konfliktit të interesit. Ndërsa, tha se ka një rezistencë ndaj ndryshimeve.

Tutje, Chlad apeloi që qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet qasja në dokumentet zyrtare. Teksa shtoi se pavarësia e gjyqësorit, ka një rëndësi shumë të madhe.

“Është bërë shumë por ka ende për t’u bërë. Tani kemi një ligj që siguron qasjen në dokumente publike, dhe është i zbatueshëm, por nganjëherë është lehtë të vendosim në letër e më vështirë të aplikohet. Tani do të themelojmë një mekanizëm, i cili do të kontrollojë se si funksionon administrata publike. Kemi tri projektligje të cilat janë në Parlament dhe shpresojmë se këto do të na ndihmojmë të marrim një hap në drejtimin e duhur, në mënyrë që ta paraqesim një natyrë të administratës publike në Kosovë”, tha ai.

Chlad shtoi se bashkë me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kanë punuar për të rritur kapacitetin e Administratës Publike, për ta analizuar fushëveprimin e kësaj administrate.

Sipas tij, në Kosovë ka shumë agjenci ekzekutive, për të cilat tha se shumë nga ato janë të pavarura, por duhet të bëhet e ditur nëse ekziston koncepti ‘i pavarur’, si dhe të dihet nëse Kuvendi ka kapacitet që të monitorojë 79 agjencione apo jo.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, bëri të ditur se përkundër sfidave që kanë hasur me hapjen e të dhënave, tanimë kanë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, si raportin që ofron një plan konkret veprimi për iniciativën për hapjen e të dhënave dhe lanisimin e portalit të ridizajnuar për të dhëna të hapura.

Ndërsa adresoi disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen.

“Aktualisht jemi duke punuar në krijimin e mekanizmave për vendosjen e një politike të qartë për hapjen e të dhënave të ekzekutivit për të siguruar se hapja e të dhënave do të bëhet në mënyrë të rregullt dhe në bazë të interesit publik. Sfidë serioze do të jetë niveli i ulët i vetëdijes për rëndësinë e hapjes së të dhënave dhe faktit që të dhënat që prodhojnë institucionet duhet të vihen në dispozicion të publikut për të ndihmuar inovacionin, hulumtimin, politikë-bërjen dhe transparencën. Së dyti, sfidë do të jetë mungesa e kapaciteteve e zyrtarëve për të inventarizuar dhe përgatitur sipas standardeve adekuate publikimin e të dhënave. Në këtë drejtim ne si ministri po planifikojmë një cikël trajnimesh për vitin e ardhshëm për zyrtarët që pritet të emërohet si pika kontakti për të dhëna të hapura”, u shpreh Yagcilar.

Hapja e të dhënave, sipas tij, përveç që forcon transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë, sjellë shumë përfitime pozitive për qytetarët, bizneset dhe sektorin publik.

Kurse, Blerina Ramaj, koordinatorja e projektit të ActionSEE, tha se në matjet e këtij viti, të bazuara në indikatorët për pushtetin ekzekutiv, Kosova është renditur e treta në rajon duke shënuar 33 përqind të indikatorëve.

Në vend të progresit që është pritur, sipas saj, institucionet e ekzekutivit në rajon kishin rezultate edhe më të këqija në krahasim me vitin e kaluar.

Ramaj bëri të ditur se hapja institucionale arrinë vetëm 38 për qind të treguesve të përmbushur, ndërsa theksoi se vitin e kaluar ishte 41 për qind.

“I kemi zyrat e kryeministrave në vendet e Ballkanit. Më e hapura ka qenë ajo e Maqedonisë në këtë rast, që ka shënuar 75.64, që është përqindja më e lartë që është arritur. Pastaj, kemi vazhdu me Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe të fundit e kemi Kosovën, në krahasim pra me shtetet e tjera. Zyra e Kryeministrit në Kosovë, në bazë të komponentëve të cilat ekzistojnë, të parën e ka integritetin në bazë të mekanizmave të kod-etikës dhe parandalimit të interesit. Të qasshme janë 37.58, transparencën e kanë 29.51, dhe efikasitetin e kanë 25 përqind”, u shpreh ajo.

Ndryshe, ky raport, ka gjetur se pushteti ekzekutiv në Kosovë (Zyra e Kryeministrit, Ministritë dhe Agjencitë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit) nuk ka punuar në rritjen e hapjes së fuqisë ekzekutive në Kosovë, por vetëm e ka neglizhuar atë.

Matja është bërë nga muaji dhjetor 2017 deri në shkurt 2018, ndërsa bëhet e ditur se një sërë rekomandishmesh dhe udhëzimesh drejt institucioneve publike janë zhvilluar duke u bazuar në rezultatet e hulumtimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here