Home LAJME Forca të mëdha sigurie nga të gjitha repartet, gjithçka po monitorohet për...

Forca të mëdha sigurie nga të gjitha repartet, gjithçka po monitorohet për ndeshjen Shqipëri-Izrael

970
0
SHARE

Kombëtarja e Shqipërisë sonte (e premte) do ta nisë garën në Ligën e Kombeve me një ndeshje kundër Izraelit në Elbasan Arena që fillon nga ora 20:45.

Për mbarëvajtjen e ndeshjes, policia shqiptare ka marrë një sërë masash të rrepta sigurie. Në njoftimit e dhënë nga Policia e Shtetit në lidhje me masat për ndeshjen, ishte bërë e ditur se në Elbasan do bllokohen disa akse rrugore.

Konkretisht nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve:
Nga degëzimi Pedagogjike deri në Unazën rruga Qemal Stafa.
Kryqëzimi i Tapeteve pranë stadiumit deri tek Pedagogjik.
Bulevardi Aqif Pasha deri tek Dinamo.
Kryqëzimi i Tapeteve deri tek ish- konservimi.

Njëherësh, siç transmeton Top Channel, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka pasur bashkëpunim për sigurinë në këtë ndeshje futbolli edhe me bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, por edhe eksperiencën e ndeshjes së futbollit të vitit 2016 midis dy ekipeve.

Me qëllim të garantimit të plotë të sigurisë do të angazhohen rreth 670 forca policore, sipas sektorëve për sigurimin e rrugëkalimit nga Tirana në Stadiumin “Elbasan Arena”, për sigurimin e rendit dhe të sigurisë në qytetin e Elbasanit, në pikat e kontrollit dhe të hyrjes së tifozëve, sigurinë e perimetrit të jashtëm të stadiumit, por edhe forca të gatshme për ndërhyrje, nëse do të lindë e nevojshme.

Në këto shërbime janë përfshirë policia vendore, Repartet e Ndërhyrjes së Shpejtë, Reparti Special “RENEA”, Reparti Special “DELTA”, njësia antieksploziv, Policia Rrugore, Policia Kriminale, Policia Kufitare për kontrollin e shtetasve, që mund të vijnë nga jashtë shtetit, njësi të tjera të specializuara, por jemi në bashkëpunim edhe me agjencitë ligjzbatuese.

Strukturat e Policisë së Shtetit po monitorojnë rrjetet sociale dhe burimet e hapura, për identifikimin e individëve dhe grupeve, që mund të bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit etj.

Policia ka bërë edhe rikonicioni nga toka dhe ajri i stadiumit, i ambienteve përreth dhe i rrugëve të afrimit në stadium dhe, mbi këtë bazë, janë përcaktuar shërbimet për monitorimin e aktivitetit dhe garantimin e sigurisë, si dhe për shoqërimin në distancë apo në afërsi, të grupeve të tifozëve, që do të vijnë nga drejtime të ndryshme për në stadium.

Autoritetet shqiptare ua kanë tërhequr vëmendjen tifozëve që do të jenë në këtë ndeshje që së bashku me biletën, të kenë me vete edhe dokument identifikimi: letërnjoftim ose pasaportë.

Gjithashtu është e nevojshme që sportdashësit të paraqiten në stadium tre orë para fillimit të ndeshjes, për të akomoduar në tribunat sipas biletave që kanë blerë, për të lehtësuar punën e Policisë së Shtetit dhe të “stjuartëve”, për kontrollin dhe hyrjen në kohë në stadium./RadioRINIA/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here