Fortesa Orana dhe Orges Arifi të artë në “Austrian Junior Open 2012″
Gjilan – Karateistja gjilanase Fortesa Orana, anëtare e Klubit “Dardania” nga Gjilani dhe karateisti Orges Arifi anëtar i Klubit të karatesë “Ipponi” nga Prishtina, kanë zënë vendet e para duke u stolisur me medalje të arta, në Turneun Ndërkombëtar të Karatesë ” Austrian Junior Open 2012″.
Sipas Fadil Arifit, kryetarit të Federatës së Karatesë së Kosovës, ky është edhe një sukses i karateistëve kosovarë ne arenat ndërkombëtare dhe se në këtë garë, në renditjen e shteteve më të suksesshme, Kosova ishte e dhjeta nga 25 shtete pjesëmarrëse, edhe atë vetëm me 6 pjesëmarrës mori dy medalje te arta.
Reprezentuesit e karatesë kosovare, Fortesa Orana dhe Orges Arifi dolën fitues në këtë Turne Ndërkombëtarë që u mbajt në Salzburg të Austrisë, pasi në finale Fortesa ishte më e mirë se garuesja e Kroacisë derisa Orgesi mundi në finale garuesin nga Bosnja e Hercegovina.
Vlerësohet se këto dy medalje janë mjaft me vlerë për karatenë kosovare, kur dihet se janë fituar në një ndër garat elitare në Evropë, për grupmoshat e reja deri në U 21. /2lonline/RadioRINIA/









