Gjilani organizon simpozium shkencor për rolin e kësaj ane në LKSH

Published on Aug 28 2012 // Kultura, Lajme
..

Gjilan – Historia e viteve 1878-1912 nuk është e plotë pa ndriçimin e rolit dhe kontributit të Gjilanit me rrethinë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, ka thënë Veton Nevzadi, drejtor për Kulturë, në një konferencë me gazetarë, të hënën në Gjilan, e cila është organizuar në bashkëpunim me Lidhjen e Historianëve Shqiptarë, ku është paralajmëruar mbajtja e një konference shkencore, në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Nevzadi ka thënë se konferenca do të mbahet më 26 tetor, ku do të marrin pjesë më se njëzet studiues të historisë. Punimet e tyre do të botohen në një monografi të veçantë, e cila do t`iu shërbejë brezave të ardhshëm për të njohur sa më mirë këtë periudhë historike si dhe kontributin e Gjilanit me rrethinë në një proces aq të rëndësishëm kombëtar, ka thënë ai.

Kurse Fitim Rifati nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, ka thënë se një konferencë e tillë shkencore mbahet për herë të parë në Gjilan, duke nënvizuar se konkursi do të jetë i hapur që nga sot.

Ai pret që në këtë konferencë shkencore të marrin pjesë personalitete të shquara nga fusha e historisë, të cilët me punimet e tyre do të ndriçojnë rolin dhe kontributin e kësaj ane në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Këshilli organizativ i simpoziumit, ka paraparë që teza kryesore të punimeve të jenë “Gjilani me rrethinë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881)”, “Gjilani me rrethinë në Lidhjen e Shqiptare të Pejës (1896-1900)”, “Kontributi i Gjilanit me rrethinë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (1900-1908)”, “Zhvillimi i arsimit në Gjilan pas ngadhënjimit të Revolucionit Xhonturk”, “Pjesëmarrja e gjilanasve në Kuvendin e Ferizajt të vitit 1908”, “Roli i kryengritësve të Gjilanit me rrethinë në Betejën e Kaçanikut (1910)”, “Ndihmesa e gjilanasve në kryengritjen e përgjithshme shqiptare të vitit 1912” dhe “Gjilani dhe rrethina e tij në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”.

Simpoziumi mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafa, në organizim të Lidhjes së Historianëve Shqiptarë “Ali Hadri”, dega në Gjilan si dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. /RadioRINIA/

Leave a comment