Hapet solemnisht Zyra e Diasporës në Gjilan
Gjilan– Në Gjilan është hapura të enjten Zyra për Diasporë. Ministri Ibrahim Makolli, i cili ka marrë pjesë në hapjen e Zyrës për Diasporë në Gjilan, ka thënë se zyra është vendi ku do të trajtohen nevojat e mërgatës.
Tash kemi infrastrukturë ligjore që të krijojmë zyra të tilla, kudo në Kosovë dhe ato do të merren kryesisht me mërgimtarët, ka thënë Makolli, duke nënvizuar se këto zyra do të bashkëpunojnë me ministrinë.
“Jemi të përkushtuar dhe kemi vullnet për të pasur qasje të drejtpërdrejtë në raport me mërgimtarët, të cilët gjithnjë kanë qenë pjesë e proceseve të rëndësishme në Kosovë”, ka thënë ministri Makolli.
Ndërsa, Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, ka thënë se diaspora duhet të pritet mirë dhe asaj duhet siguruar lidhje të përhershme e përmbajtjesore me vendlindjen. Duke e ditur se mërgata përbën një potencial të madh investues, Mustafa ka thënë se është e rëndësishme që bashkatdhetarët tanë të inkurajohen në projekte zhvillimore dhe që krijojnë vende të reja pune.
Gjilani po krijon kushte dhe mundësi për mërgimtarët, në mënyrë që ata ta investojnë këtu kapitalin që kanë krijuar në shtetet perëndimore. Diaspora, në të gjitha fazat ka ndihmuar popullin e Kosovës dhe ne kemi nevojë për ta edhe në këtë fazë të shtet ndërtimit, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq, Riad Rashit, drejtor për Zhvillim Ekonomik, në kuadër të së cilës do të funksionojë zyra, u shpreh optimist se kjo zyrë do ta luaj rolin e saj në funksion të mërgatës, me të cilët do të mbajë kontakte të përhershme dhe do t`iu përgjigjet interesimeve të tyre. /RadioRINIA/









