IBRA: TE PSZH-JA KAM ARDHUR PËR TROFE, JO PËR PARA

Published on Jul 20 2012 // Sport
..

Zlatan Ibrahimoviq ka finalizuar transferimin e tij në kampionatin francez, më saktësisht në skuadrën e Paris Sen Zhermenit. 30-vjeçari suedez me origjinë boshnjake ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin parisien, të vlefshme 23 milionë euro. 

Ibra ka hedhur poshtë pretendimet e mediave se u transferua në këtë skuadër vetëm për shkak të parave. “Ky është një hap tjetër në karrierën time, një tjetër ëndërr, që tashmë është bërë realitet. Periudha e fundit ka qenë mjaft intensive për mua, veçmas në raport me mediat, të cilat nuk më linin rehat. Kjo gjë më shqetësonte, sepse nuk mund ta bëja jetën time si duhet. Unë nuk do t’i ndiqja gazetarët kështu”, ka theksuar Ibra, për të shtuar: “Dua të falënderoj drejtorin sportiv të PSZH-së, Leonardo për punën e bërë. Drejtuesit e PSZH-së e kanë bërë të pamundurën të mundur për mua. Projekti që ka nisur ky klub është shumë interesant, prandaj kisha dëshirë të isha pjesë e këtij projekti. Nuk kam pasur kurrfarë dyshimi nëse duhej ta pranoja apo jo ofertën e parisienëve. Synimi im është që të bëj histori me këtë klub. Këtu kam ardhur për të fituar trofe, jo për para”. Ibra në dy edicionet e kaluara luajti me Milanin, me të cilën skuadër shënoi 56 gola në të gjitha garat.

Leave a comment