KE-ja ia dorëzoi Qeverisë udhërrëfyesin për viza
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Punë të Brendshme, Cecilia Malmström, ia dorëzoi Qeverisë së Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
Ky dokument paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash të cilat duhet t’i plotësojë Kosova. Këto reforma kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migrimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të drejtat themelore.
Ndërkaq, përfundimet e dialogut për viza do të varen nga progresi i Qeverisë së Kosovës në plotësimin e këtyre kërkesave.
“Unë jam e kënaqur në veçanti për faktin se pata rastin ta dorëzoj këtë dokument, të pritur me padurim nga Qeveria e Kosovës. Ceremonia e sotme e dorëzim-pranimit të këtij dokumenti, i shpie qytetarët e Kosovës një hap më afër udhëtimit pa viza. Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave përfshin reformat të cilat do të duhet t’i implementojë Qeveria e Kosovës, për të krijuar një mjedis të sigurt për të udhëtuar pa viza. Se a do të bëhet realitet udhëtimi pa viza dhe se kur do të bëhet varet nga angazhimi i qeverisë për implementimin e këtyre reformave të vështira në terren”, tha Malmström.
Ndryshe, në të kaluarën, BE-ja kishte nisur dialogun për liberalizimin e vizave me pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që qytetarëve të tyre t’u lejohet udhëtimi pa viza në shtetet e BE-së.
Pas vlerësimit të progresit të arritur nga këto shtete në implementimin e reformave të thella, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia iu bashkuan regjimit pa viza të BE-së, në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina në nëntor të vitit 2010. /RadioRINIA/












