Home LAJME KOMF: Kërkojmë reagim institucional dhe përgjegjësi për rastin e vdekjes së 11...

KOMF: Kërkojmë reagim institucional dhe përgjegjësi për rastin e vdekjes së 11 vjeçarit në Fushë Kosovë

65
0
SHARE

KOMF përmes një konference për media ka reaguar dhe ka shprehur shqetësimin lidhur me rastin e fundit të vdekjes së fëmijës e gjithashtu për situatën e rëndë të fëmijëve në situatë rruge.

“KOMF kërkon veprime të menjëhershme nga prokuroria për zbardhjen e rastit të vdekjes së fëmijës. Sipas informacioneve të policisë, fëmija ka pasur shenja dhune. Po ashtu sipas informacioneve të publikuara nga mediat, raporti i autopsisë i bërë në trupin e 11-vjeçarit ka vërtetuar se viktima është dhunuar seksualisht tri herë nga i njëjti person si dhe plaga e dhunimit ishte e freskët. KOMF ka kërkuar të ketë qasje në raportin e autopsisë, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore iu është përgjigjur KOMF që raporti i autopsisë për rastin në fjalë është në kompletim e sipër (në pritje të analizave) dhe pas kompletimit i dorëzohet prokurorit të rastit”, thuhet në njoftimin për media.

Bazuar në deklaratën e nënës së viktimës por edhe shkrimeve të publikuara në media, del që rasti është raportuar në polici për abuzim seksual në datën 29 janar 2019 dhe tek pas 3 muajve më datë 15 prill 2019, është parashtruar kallëzim penal ndaj personit të dyshuar dhe i njëjti rast ishte proceduar në prokurori.
Ndërsa prokuroria nuk kishte ngritur aktakuzë për këtë rast dhe personi për të cilin familja po pretendonte që ishte kryerësi kishte mbetur i lirë.

“Për këtë arsye, KOMF ka dërguar kërkesa zyrtare tek: Policia e Kosovës, Prokuroria, Qendra për Punë Sociale, Instituti i Mjekësisë Ligjore, për të parë cili ka qenë reagimi institucional për mbrojtjen e jetës dhe integritetit të fëmijës dhe ndëshkimin e kryerësit. Mbetet shqetësues fakti që Policia e Kosovës nuk iu është përgjigjur KOMF deri në këtë moment që po flasim, përderisa prokuroria ka theksuar që janë në fazën e hetimeve dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të japin më shumë informacione. Ndërkaq, Qendra për Punë Sociale i është përgjigjur KOMF duke dhënë informacionin për shërbimet e ofruara për këtë rast.

Duke pas parasysh ndjeshmërinë e rasteve të cilat prekin fëmijët por edhe ndjeshmërinë e veprave penale kundër trupit dhe integritetit seksual, rasti i tillë do duhej të trajtohej me prioritet të lartë dhe me urgjencë nga policia dhe prokuroria në mënyrë që të mbrohej jeta, mirëqenia dhe integriteti i fëmijës. Me këtë rast, KOMF kërkon nga Inspektoriati i Policisë të hetojë këtë rast për të vërtetuar nëse ka pasur neglizhencë nga organet e ndjekjes”, thuhet më tej në njoftimin për media.

KOMF kërkon përgjegjësi dhe veprime të menjëhershme për gjendjen e rëndë në të cilën shteti dhe institucionet vazhdojnë t’i lënë fëmijët në situatë rruge, të përfshirë në punë të rënda, duke u përballur me rreziqet e shumta përfshirë abuzimin seksual, trafikimin dhe vrasjen. Nëse situata vazhdon të mbetet e tillë, edhe shumë fëmijë të tjerë në situatë rruge do të përballen me të njëjtën fatkeqësi. KOMF bën me dije që vetëm brenda katër ditëve (gjatë 4, 5, 6 dhe 11 qershor 2018), në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit janë vëzhguar dhe numëruar 153 fëmijë në situatë rruge. Fëmijët ishin duke kryer punë të rënda sikurse kërkim lëmoshë, riciklim dhe shitje të gjësendeve. Vëzhgimi dhe intervistimi është realizuar nga staf i trajnuar nga Terre des hommes (anëtare në KOMF) në bashkëpunim me punëtor social.

Tutje në njoftimin e KOMF thuhet se fëmijët e përfshirë në punë të rënda u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim dhe mungesën e strehimit, duke e vënë veten edhe përballë rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit.

“Aktualisht, nuk ka shërbime të veçanta që komunat duhet të ofrojnë për të adresuar mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda; duke përfshirë qendrat e kujdesit ditor, ekipet mobile si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe reintegrimit.
Rekomandohet që komunat të themelojnë ekipet mobile për identifikim dhe trajtim si dhe qendrat ditore për fëmijët e përfshirë në punë të rënda, për të mundësuar trajtimin, mbrojtjen, rehabilitimin dhe re integrimin e fëmijëve në situatë rruge të shfrytëzuar për punë të rënda”, thuhet më tej në njoftimin për media. /RadioRINIA/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here