Konfirmohet përkrahja kanadeze

Published on Aug 14 2012 // Lajme
..

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe ambasadori jo-rezident i Kanadasë, Edwin Loughlin, kanë vlerësuar marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Kanadasë dhe biseduan për perspektivat e forcimit të bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët.

Në një takim lamtumirë me diplomatin kanadez, zv.kryeministrja Tahiri foli për progresin e gjithanshëm të shtetit të Kosovës dhe për reformat evropiane të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, duke theksuar përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur në shator është dëshmi e arritjeve të shtetit të ri të Kosovës.

Ndërkaq, ambasadori Loughlin shprehu kënaqësinë që takoi zv.kryeministren Tahiri në përfundim të mandatit të tij duke konstatuar se “të arriturat e Kosovës dhe përmbyllja e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë janë faktorët determinues për të ardhmen e qartë euroatlantike të Kosovës”.

Ai edhe njëherë ripërsëriti qëndrimin e shtetit të tij për Kosovën, se Kanadaja mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës dhe integrimin në NATO dhe Bashkim Evropian, në OKB dhe organizma tjerë ndërkombëtarë.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që bashkëpunimi bilateral në mes Kosovës dhe Kanadasë duhet të shtrihet edhe në fushat tjera dhe se për këtë natyrisht ekziston edhe vullneti i të dyja palëve. Për këtë qëllim deri tani janë diskutuar shumë mundësi atraktive që i ofron shteti i Kosovës për investitorët potencial të Kanadasë. /RadioRINIA/

Leave a comment