MARSHON GJERMANIA

Published on Jun 14 2012 // Sport
..

Gjermania është përfaqësuesja e parë që është kualifikuar në çerekfinale të ‘Euro 2012’. Këtë sukses ‘Pancerët’ – të udhëhequr nga Mario Gomez – e arritën qysh në xhiron e dytë të Grupit B, pasi ia dolën ta mposhtin me rezultat 2:1 Holandën. Kështu, në xhiron e fundit ‘Tulipanët’ vetëm mrekullia do t’i shpëtonte pa u eliminuar nga ky eveniment.

Kombëtarja e Gjermanisë është skuadra e parë që është kualifikuar në çerekfinale të Kampionatit Evropian, i cili po mbahet në Poloni e Ukrainë.

Gjermanëve u kanë mjaftuar vetëm dy ndeshje për t’i zhvilluar në Grupin B, për ta kaluar atë. Pas Portugalisë, Holanda ishte ‘viktima’ e radhës e ‘Pancerëve’.

Djelmoshat e Joachim Low të mërkurën mbrëma ia dolën t’i mposhtin me rezultat 2:1 ‘Tulipanët’, të cilët para fillimit të Kampionatit Evropian përfshiheshin në mesin e favoritëve për ta fituar atë. Kurse, tani duhet theksuar se vetëm mrekullia do t’i shpëtonte pa u eliminuar, kur ka mbetur vetëm edhe një xhiro deri në fund të garave të fazës së grupeve.

Më meritori në këtë sukses të gjermanëve ishte Mario Gomez. Kjo pasi sulmuesi i Bayern Munchenit i shënoi dy gola në fitoren e ekipit të tij ndaj holandezëve. Golin e parë, Gomez e shënoi në minutën e 24-të, kurse të dytin në minutën e 38-të, derisa golin e vetëm për ekipin e Bert van Marwijk e realizoi Robin van Persie në minutën e 73-të. Një gol i Gomezit ia kishte dhuruar Gjermanisë edhe tri pikët nga përballja me Portugalinë.

Ndeshjen e fundit në Grupin B Gjermania do ta zhvilloj ndaj Danimarkës, në të cilën do ta kërkoj sërish një rezultat pozitiv, për t’u kualifikuar si lidere e grupit. Duke u kualifikuar e para në çerekfinale, Gjermania konfirmoi se është pretendentja kryesore për t’u shpallur kampione e re e Evropës, të cilin epitet aktualisht e mban Spanja.

Kurse, Holanda do të përballet me Portugalinë, dhe vetëm mrekullia do ta shpëtonte pa u eliminuar. Holandezët po zhgënjejnë me të madhe në këtë Kampionat Evropian, pasi në dy ndeshjet e saj të deritanishme ka pësuar disfata. Para gjermanëve, ‘Tulipanët’ i kishte mposhtur Danimarka.

Grupi B

Danimarka – Portugalia 2:3

Holanda – Gjermania 1:2

Tabela Nd. Pikë

1. Gjermania 2 6

2. Portugalia 2 3

3. Danimarka 2 3

4. Holanda 2 0

/RadioRINIA/


Leave a comment