Microsoft zbulon tabletin Surface me Windows 8

Published on Jun 19 2012 // Teknologji
..

Ndërmarrja Microsoft ka zbuluar brendin e vet të tabletëve Surface. Kompjuterët do të funksionojnë me sistemin e ri operativ Windows 8 dhe do të përmbajnë procesorë të Intel apo ARM.

Kjo i mundëson kompanisë që të sfidoj iPadin e Apple, me një pajisje që përdor aplikacionet standarde si Office dhe Photoshop. Në anën tjetër, ky tablet e vë Microsoftin në garë të fortë me prodhuesit tjerë që planifikojnë të lansojnë tabletë të dizajnuar për Windows 8.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Steve Ballmer, deklaroi se ai dëshironte t’i jepte softuerit “harduerin e vet konkurrues”. Pajisjet kanë ekrane 10.6 inçësh (26.9cm), mbajtëse të integruara si dhe posedojnë korniza magneziumi- të cilat kompania i përshkruajti si kornizat e para të këtij lloji.

Tabletët e bazuar në ARM janë të hollë 9.3mm (0.4 inç), pak më të hollë se iPad- dhe funksionojnë në versionin Windows RT të sistemit të ri. Verge raportoi se çipat do të ndërtohen nga Nvidia. Versionet me teknologjinë x86 të Intelit funksionojnë me sistemin operativ Windows 8 Pro dhe janë të hollë 13.5mm (0.5 inç). Specifikat tregojnë që tabletët Surface kanë ekrane më të mëdha se iPad por peshojnë më shumë.

Përdorimi me laps

Pajisjet janë të dizajnuara që të punojnë me një laps të cilin kompania e quan “ngjyra digjitale”. Kur lapsi të mbahet afër ekranit, atëherë tableti e injoron prekjen me dorë dhe përdor ngjyrën me 600dpi (pika për inç).

Versioni i bazuar në ARM do të jetë në dispozicion me dy opsione ruajtjeje 32GB (gigabajt) ose 64GB. Microsoft konfirmoi se çmimi i tabletit do të jetë pak a shumë i ngjashëm me atë të tabletëve që përdorin procesorin e njëjtë.

Kompania gjithashtu shtoi se versionet e bazuara në Intel do të ofrohen me 64 ose 128GB, si dhe do të kenë çmimin e ngjashëm me atë të laptopëve ultrabook. /RadioRINIA/ 

Leave a comment