Nevzadi: Rinia prioritet i DRKS-së
Gjilan – Drejtues të Drejtorisë për Rini, Kulturë e Sport të Komunës së Gjilanit kanë thënë të premten se do të vazhdojë edhe më tutje përkushtimi i kësaj drejtorie për të përkrahur rininë, kulturën e sportin.
Veton Nevzadi, drejtori i DRKS-së, i ka thënë Portalit të Lajmeve “2lonline”, se përkushtimi nuk do të mungojë për asnjë segment që mbulohet nga kjo drejtori, por fokusojë rininë, për të cilën tha se do të jetë në prioritetet e tija si i pari i kësaj Drejtorie, i emëruar para pak kohësh në këtë post.
Deri sa bashkëbisedonim me të, në këtë drejtori përfaqësues të ekipeve sportive sillnin kërkesat e tyre për të kërkuar mbështetje me transport për klubet e tyre, dhe në këtë drejtim, drejtori Nevzadi tha se ky përkushtim do të vazhdojë edhe më tutje. Ai tha se drejtoria ka në disponim një minibus por sipas nevojës do të sigurojë për klubet edhe një autobus, kështu që në këtë drejtim përkrahja në transport të klubeve sportive nuk do të mungojë.
Ai tha se janë duke punuar edhe në krijimin e një baze të të dhënave për të gjitha organizmat që përfshihen në domenin e kësaj drejtorie (rinia, sporti e kultura), në mënyrë që të bëhet kategorizimi dhe më lehtë edhe të ndihmohen pastaj.
Përndryshe, Nevzadi tha se me prioritet do të jetë rinia dhe rëndësi të veçantë janë duke i dhënë vullnetarizmit, krijimi i mundësive që vullnetarët të kenë privilegje (konformë ligjit) dhe për këtë është duke u punuar në një rregullore.
Ai tha se synon që të ketë në çdo cep të komunës vullnetarë të cilët do të përfshihen në aktivitete të ndryshme, pra do të jenë të gatshëm për të qenë aktiv në çdo kohë me qëllim të përfshirjes në zhvillimet e rëndësishme shoqërore në Komunën e Gjilanit.
Prandaj, Nevzadi tha se të rinjtë duhet të shtojnë aktivitetet e tyre rinore sepse drejtoria në fjalë do të përkrahë secilën nismë të të rinjve e cila përkon me përcaktimet programore të drejtorisë të cilën ai e drejton.
“Në mënyrë të veçantë do t’i japim rëndësi vullnetarizmit duke vendosur kontakte me secilën organizatë rinore dhe me secilin të ri që është interesuar që të përfshihet në grupet e të rinjve të cilët merren me aktivitete rinore”, ka thënë Nevzadi. /2lonline/RadioRINIA/









