Nga një muaj paraburgim për tre muziktarë gjilanas
Gjykatësi Abdullah Ahmeti iu ka caktuar nga një muaj paraburgim Ardian Xhaferit, Besnik Fejzullahut dhe Burim Osmanit, që të tre të dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.Sipas aktvendimit për zhvillimin e hetimeve, Xhaferi e Fejzullahu dyshohen se më 15 qershor, në lagjen Dardania, me paramendim dhe me dashje kanë tentuar të privojnë nga jeta Burim Osmanin.
Sipas hetimeve Ardiani ka qenë i pajisur me revole të panjohur dhe me atë rast i është vërsulur Burim Osmanit, duke shtënë disa herë në drejtim të tij, duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë.
Ardian Xhaferi, këngëtar i grupit muzikor “E7”, dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. Kurse Besnik Fejzullahu dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, njofton portali rajonipresss.
Ndërkaq, Burim Osmani, i njohur me nofkën “Duda”, me profesion këngëtar i grupit muzikor “Double G”, pas konfliktit fizik që ka pasur me të pandehurin Ardian Xhaferi e Besnik Fejzullahu, ka tentuar t`i privojë nga jeta këta dy. Osmani me revolen e tij “M-57” ka shtënë disa herë në drejtim të Xhaferit e Fejzullahut, duke rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë. Një nga predhat e Osmanit e ka goditur në gjoks shkarazi Besnik Fejzullahun.
Duda (Osmani) dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, “mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve” dhe për veprën penale tjetër “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.









