Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS) Millosh Jovanoviq tha sot se paralajmërimi i nxjerrjes së Ligjit të ri për Referendumin dhe nismën e popullore është në funksion i ndryshimit të planifikuar të Kushtetutës së Serbisë dhe aktit përfundimtar të tradhtisë së interesave shtetërore, duke njohur pavarësinë e Kosovës.
“Arsyetimi i propozuesve të Projektligjit për Referendum dhe nismë popullore që të fshihet kushti i pjesëmarrjes mbi 50% të votuesbe të regjistruar, në mënyrë që ligji i ri të harmonizohet me Kushtetutën, thjesht nuk qëndron. Kushtetuta nuk parashikon numrin e nevojshëm të daljes së votuesve që referendumi të jetë i vlefshëm, por thjesht tregon që vendimi merret me shumicën e votuesve, që kanë dalë të votojnë “, tha Jovanoviq.
Edhe nënkryetari i Partisë Popullore Miroslav Aleksiq tha se kundërshton ndryshimet e paralajmëruara në Ligjin për Referendum, duke thënë se me këtë synohet të lehtësohet njohja e Kosovës si një shtet të pavarur.
Sipas ligjit ekzistues për referendum në Serbi, për tu konsideruar i suksesshëm ose i dështuar deklarimi i qytetarëve ishte e nevojshme të dilnin në votim më shumë se gjysma e votuesve të regjistruar, ose 50 për qind plus një.
Mirëpo, në Projektligjin e ri për Referendum dhe nismë popullore, të përgatitur nga Ministria e Administratës Publike, kjo dispozitë nuk ekziston. /RadioRinia/