Home LAJME Përmbajtje skandaloze në librat shkollorë!

Përmbajtje skandaloze në librat shkollorë!

277
0
SHARE

“Sindrom Down Kosova”: Ka një vit e më shumë që kemi reaguar për tekstet 

“Të gjithë ministrat e deritashëm duhet të ndiqen penalisht, edhe për shkak se me mospunën e tyre, me vetëdije apo pa të, ata kanë lejuar që të gjithë nxënësve të Kosovës t’u shkelen të drejtat themelore të njeriut dhe të fëmijës, sepse asnjëherë nga viti 2002 deri në ditën e sotme nuk kanë shpallur konkurs për botimin e librave për lëndët profesionale dhe lëndët e ngushta profesionale. Me këtë, kanë shkelur rëndë të drejtat e nxënësve, si dhe i kanë shkaktuar dëme të pariparueshme sistemit të edukimit dhe të arsimit, ekonomisë, bujqësisë, veterinarisë, shëndetësisë, si dhe lëmenjve dhe fushave të tjera profesionale”, thotë eksperti i fushës së arsimit, Halim Hyseni .

Që nga paslufta e deri më sot, drejtuesit e mëhershëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por edhe këta aktualë, kanë paguar me paratë e popullit libra shkollorë me përmbajtje skandaloze për shumë lëndë dhe fusha. Një libër i tillë është edhe teksti shkollor i Gjimnazit të Shkencave të Natyrës, Biologjia, në të cilin u qaset personave me sindromin ‘down’, me termat “mongoloidë”, “idiotë” dhe persona që nuk jetojnë më shumë se 10-16 vjet. E krejt kjo ka ndodhur për 10 vjet me radhë pasi i njëjti tekst është botuar pa u korrigjuar asnjëherë, edhe pse ka pasur reagime ndaj MASHT-it. Megjithëse gazeta “Kosova Sot” ka drejtuar pyetjet në adresën elektronike të zyrës për informim në MASHT lidhur me këtë skandal, ata nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje, duke zgjedhur heshtjen. Kurse sipas njohëseve të kësaj fushe nuk ka se si të shpjegohet fakti se në mesin e shumicës së teksteve skandaloze që MASHTi i paguan dhe i ka nën monopol disa kompani monopoliste të oligarkëve, është edhe teksti shkollor i Gjimnazit të Shkencave të Natyrës, Biologjia. Ata e quajnë këtë një skandal të MASHT-it. Kurse sipas shoqatës “Sindrom Down Kosova”, shoqatë e cila merret me personat me sindrom ‘down’, Ministria e Arsimit dhe ministri deri më tani kanë dhënë vetëm fjalë, pasi të dhënat nga terreni flasin ndryshe.

Hyseni tregon shkeljet drastike nga MASHT-i

Kurse, eksperti i fushës së arsimit, Halim Hyseni, thotë se në Kosovë nuk ekzistojnë politika të avancuara për zhvillimin e edukimit dhe të arsimit. “Në kuadër të kësaj nuk ekzistojnë as politika të shëndetshme të hartimit dhe të botimit të teksteve, të literaturës, dokumentacionit pedagogjik dhe shkollor dhe të mjeteve mësimore. Vendimi që është marrë në vitin shkollor 2009/2010 për financimin e librave, si dhe krijimin e monopolit për favorizimin e dy shtëpive botuese, është bërë për interesa klienteliste të vendimmarrësve. Ky vendim ka qenë atëherë, por edhe sot është në kundërshtim me dy ligje që edhe sot janë në fuqi”, ka thënë Hyseni. Më tej, ai ka treguar edhe për cilin ligj bëhet fjalë. “Fjala është për Ligjin për Veprimtarinë Botuese dhe Librin dhe Ligjin nr. 02/l për Botimin e Teksteve Shkollore, Mjeteve Mësimore, Literaturës Shkollore dhe të Dokumentacionit Pedagogjik. Vendimet e miratuara për blerjen e librave si dhe caktimin e dy shtëpive botuese janë në kundërshtim flagrant me nenin 1 të Ligjit për Veprimtarinë Botuese dhe Librin, me të cilin përcaktohen tetë qëllime veprimtarisë botuese dhe të librit”. Sipas Halimit, me këtë vendim janë shkelur në mënyrë drastike tetë pikat kryesore. Ai shprehet se tekstet e tilla, me përmbajtje fyese dhe skandaloze shndërrohen në mjet të dhunës strukturore apo shtetërore. “Të gjitha tekstet e deritashme ‘En Block’ janë një ndër shkaktarët kryesorë pse edukimi dhe arsimi i Kosovës janë futur në këtë çark vicioz, që ka ndikuar që edhe Natalia Apostollova të thotë se Kosova arsimin duhet ta fillojë nga zero, me çka unë pajtohem plotësisht, por jo edhe me mënyrën se si ajo propozon për ta nxjerrë arsimin nga kjo gjendje tani për tani pa shtegdalje. Politika inekzistente për botimin e teksteve shkollore, botimi i të cilave është i bazuar në interesa klienteliste të MASHT-t, shtëpive botuese , autorëve të teksteve etj., dhe jo në interesin nacional, është në kundërshtim edhe me Ligjin nr. 02/l për Botimin e Teksteve Shkollore, mjeteve mësimore, Lektyrës Shkollore dhe të Dokumentacionit Pedagogjik”. “Ne si shoqatë para një viti kemi reaguar në lidhje me tekstet shkollore dhe i jemi drejtuar edhe ministrit dhe gjithashtu u kemi ofruar mbështetje, ne kemi përgatitur një material rreth sindromit dhe ju kemi përcjellë në MASHT dhe kemi kërkuar që në mënyrë urgjente deri në botimin e librave të rinj, që do të jenë në vitin e ri shkollor 2019, të shpërndahet në shkolla ky material dhe të obligohen mësimdhënësit që njësinë mësimore për sindromin ta shpjegojnë nga materiali ynë, ndryshe material që është aprovuar nga MASHT-i, por deri më tani nuk kanë vepruar asgjë. Edhe pse ministri jep deklarata që materiali është shpërndarë, në komuna neve nuk na është përcjelë asgjë zyrtarisht dhe nga informatat që kemi nga terreni në shkolla nuk është shpërndarë asnjë material”, thuhet në përgjigjen nga shoqata “Sindrom Down Kosova” dhënë për gazetën “Kosova Sot”.

Hertica: MASHT-i nuk i ka publikuar kontratat e fshehura

Kurse, analisti Ali Hertica shprehet se MASHT-i asnjëherë nuk ka publikuar asnjë nga shifrat dhe kontratat e fshehura, për të cilët thotë se mbajnë përgjegjësi edhe për keqpërdorime dhe abuzime të shumta. “Dhe jo vetëm MASHT-i, por kjo klasë politike, e në veçanti partitë që kanë udhëhequr arsimin, mbajnë përgjegjësi për degradimin e arsimit në Kosovë. Një publikim i tillë do të ndodhë vetëm kur Kosova të bëhet shtet ligjor dhe gjithë këta kriminelë e mafiozë të politikës dhe parapolitikës do të japin përgjegjësi për të bëmat e tyre. Tani së fundmi flitet se prindërit mund të ngritin padi kundër MASHT-it dhe kallëzime penale kundër zyrtarëve të kurrikulës dhe hartuesve të teksteve shkollore. Në tregun e librave ka qenë dhe vazhdon të jenë të pranishëm monopolet e mafio-oligarkisë me vetëm dy shoqëri private oligarkike të lidhura me pushtetin, duke e ndarë tregun me ndihmën dhe lejen private ekskluzive të ish-ministrave të MASHTit”, thekson Hertica. Sipas tij, teksti fyes për personat me sindromin ‘down’, i botuar për 10 vite me radhë pa asnjë përmirësim nga MASHT-i, është dëshmi se askush nuk i kontrollon tekstet shkollore. “Teksti shkollor i Gjimnazit të Shkencave të Natyrës, Biologjia, i cili i qaset personave me sindromin ‘down’ me termat “mongoloidë”, “idiotë” dhe që nuk jetojnë më shumë se 10-16 vjet, është edhe më skandaloze që teksti në fjalë është botuar e ribotuar mbi 10 vjet me radhë pa asnjë korrigjim nga MASHT-i dhe askush nuk i kontrollon që fjalitë më fyese dhe ofenduese për një shoqëri të dytë të përdoren tek ajo shtresë, ku deri më tani asnjë zyrtar i arsimit nuk e ka ngritur zërin për këto degradime të këtyre fjalëve që gjenden në librin e shkencave të natyrës Biologjia”, përfundon Hertica.

“TË NDIQEN PENALISHT TË GJITHË MINISTRAT”

Halim Hyseni thotë se edhe tekstet në gjuhën serbe që botohen në Beograd, e që të gjitha përdoren në Kosovë janë në kundërshtim të plotë me këto dispozita. “Për këtë arsye të gjithë ministrat e deritashëm të Arsimit duhet të ndiqen penalisht. Të gjithë ministrat e deritashëm duhet që të ndiqen penalisht edhe për shkak se me mospunën e tyre, me vetëdije apo pa të, ata kanë lejuar që të gjithë nxënësve të Kosovës t’u shkelen të drejtat themelore të njeriut dhe të fëmijës, sepse asnjëherë nga viti 2002 deri në ditën e sotme nuk kanë shpallur konkurs për botimin e librave për lëndët profesionale dhe lëndët e ngushta profesionale . Me këtë, kanë shkelur rëndë të drejtat e nxënësve, si dhe kanë shkaktuar dëme të pariparueshme sistemit të edukimit dhe të arsimit, ekonomisë, bujqësisë, veterinarisë, shëndetësisë si dhe si dhe lëmenjve dhe fushave të tjera profesionale. Mosbotimi i librave të këtillë ka shkaktuar dëme të pariparueshme të zhvillimit shoqëror dhe demokratik të Kosovës. Ministri i tashëm është përgjegjës që ka filluar zbatimin e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës), e cila do të jetë faktor entropik, sepse do të përkeqësojë akoma më shumë cilësinë E edukimit dhe të arsimit në Kosovë) pa i përgatitur librat e rinj, të cilët është dashur të jenë të botuar një vit para fillimit të zbatimit Kornizës së Kurrikulës së Re”, përfundon për “Kosova Sot” eksperti i fushës së arsimit, Halim Hyseni.

RUGOVA: KY ËSHTË TURP KOMBËTAR

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, deklaron se është një turp kombëtar teksti skandaloz dhe fyes në librat e MASHT-it. “Në cilësinë e mjekut me profesion që e kam dhe në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës që jam, e them se ky është një turp kombëtar. Sepse e them me përgjegjësi të plotë se një kategori e personave të tillë që vuajnë nga sindomi ‘down’ të mësojë nga libra të tillë me emërtime fyese për këtë kategori vërtet kjo është një fyerje e pafalshme që u bëhet këtyre personave. Andaj vlerësoj se krerët e tashëm të MASHT-it dhe Inspeksioni i Arsimit duhet të marrin masa imediate dhe me një vendim të prerë duhet që mos të lejojnë që nxënësit më të mësojnë nga libra të tilla fyes për të sëmurit ‘down'”, thotë Rugova për “Kosova Sot”.

GURAZIU: SKANDALOZE KJO QË PO NDODH NË KOSOVË

Po ashtu, edhe analisti Ragip Guraziu shprehet se kjo çfarë ndodh në Kosovë vërtet është skandaloze. Sipas tij, e keqja më e madhe është se MASHT-i i ka botuar e ribotuar librat shkollorë me përmbajtje skandaloze me paratë e popullit. “Të gjithë ministrat e Arsimit të pasluftës e këndej dhe nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës asnjëri nuk e ka merituar këtë vend, që faktet po na flasin vetë dhe këto skandale në arsim do të na përcjellin e vitin e ardhshëm, 2019, por duhet të merren masa adekuate dhe këtu të orientohemi deri sa nuk bëhet vonë. Ndryshe, si mund ta shpjegojmë që në mesin e shumicës së teksteve skandaloze që MASHT-i, i paguan dhe i kanë nën monopol disa kompani monopoliste të oligarkëve është edhe teksti shkollor i Gjimnazit të Shkencave të Natyrës, Biologjia, i cili i qaset personave me sindromin ‘down’, me termat “mongoloidë”, “idiotë”, dhe që nuk jetojnë më shumë se 10-16 vjet. Dhe kjo është tepër skandaloze që teksti në fjalë është botuar e ribotuar mbi 10 vite me radhë, pa asnjë korrigjim nga MASHT-i, edhe përkundër reagimit që ka pasur”, deklaron Guraziu.

Qytetarët kritika MASHT-it

Përveç njohëseve të fushës së arsimit dhe analistëve, edhe qytetarët e anketuar kanë adresuar kritika të shumta në drejtim të udhëheqësve të MASHT-it. “Këto tekste me këto shprehje duhet tërhequr menjëherë nga procesi mësimor dhe mos të lejohet që këta fëmijë të mësojnë nga këto tekste që janë fyese për këtë kategori të të sëmurëve. Andaj jam i mendimit se autorët e hartimit të këtyre teksteve fyese duhet që të japin llogari dhe përgjegjësi morale dhe penale për këto shprehje fyese që janë përdorur për këta të sëmurë. Prandaj, faji bie mbi MASHT-in, që nuk ka reaguar me kohë dhe t’i heqë këta libra fyes nga procesi mësimor në Kosovë dhe kjo duhet që të bëhet menjëherë”, shprehet për “Kosova Sot” qytetari nga Podujeva, Dardan Gërguri. Po ashtu, edhe eksperti i mjekisë sportive, dr. Fatmir Bislimi, për gazetën “Kosova Sot” deklaron se një tekst i tillë është fyes dhe denigrues. “Tekstet ka qenë dashur që të formulohen në një formë tjetër, e jo në këtë formë fyese për këtë kategori personash. Prandaj në këto tekste ka shumë gabime dhe si të tilla ato duhet përmirësuar nga drejtuesit MASHT-it dhe atë duhet bërë urgjentisht, sepse gabime të shumta ka edhe në shumë tekstet e lëndëve të tjera të fushave të ndryshme. Këto gabime duhet që të përmirësohen sepse është nënçmuese, fyese dhe denigruese për këtë kategori personash që të përdoren emërtime të tilla”, përfundon eksperti i mjekisë sportive, dr. Fatmir Bislimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here