Përurohet shkolla e re në lagjen e dytë të qytetit
Gjilan – Lagja “Kodra e Dëshmorëve” në Gjilan është bërë me shkollë fillore, e cila i ka munguar asaj në gjithë këto vite të arsimit shqip. Duke e përuruar shkollën në këtë lagje të qytetit të Gjilanit, ministri i Arsimit, Ramë Buja ka thënë se në këtë 100-vjetor të pavarësisë së shtetit shqiptar, Gjilanit po i dhurojnë një shkollë të re, ndërsa Kosovës dhjetë shkolla të tilla, pesë në shtator dhe pesë të tjera deri në fund të vitit, ku do të edukohet e arsimohet brezi i ri.
“Jam i bindur se ambientet e tilla joshëse janë një motiv më shumë për punë dhe mësim”, ka thënë Buja, duke nënvizuar se me kompletimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve tjera për mësimdhënie, do të ngrihet edhe më shumë cilësia në arsimin tonë.
Kurse, Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës së Gjilanit, ndërtimin e shkollës në lagjen e dytë të qytetit e ka vlerësuar si investimin kapital ndër më të qëlluarit të qeverisës së Kosovës që po bëhen anekënd Kosovës, prej vitit 2008 e këndej, sidomos në infrastrukturën shkollore, e cila ishte prioritet i kryeministrit Thaçi dhe ministrit Buja në këtë mandat.
Nuk është zgjidhje që prindi ta sjellë fëmijën e tij nga fshatrat në ndonjë shkollë të qytetit, siç ndodhte dikur, pro zgjidhje është që gjithkund të krijohen kushte dhe mundësi të njëjta për arsimim dhe ne po e bëjmë gjithandej në fshatra dhe në qytet, ka thënë Mustafa.
Sipas tij Gjilani, ka nevojë edhe për një shkollë fillore si dhe një shkollë të artit, për të përfunduar kompletimin e infrastrukturës.
Edhe Bujar Nevzati, drejtor i Arsimit, tha se kjo lagje ka pasur nevojë të kahershme për një shkollë, duke nënvizuar se vetëm nga viti 2008 e këndej, në Gjilan janë ndërtuar 7 shkolla të reja dhe dy anekse. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm i qeverisjes komunale dhe i njeriut të parë të Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka thënë Nevzati.
“Objekti i ri në lagjen e dytë, ku po hapet shkolla për herët të parë, është tregues i përkushtimit të qeverisjes komunale për të investuar sa më shumë në arsim” ka thënë Nevzati.
Drejtori Sami Hoxha tha se për këtë shkollë të re, e cila u ka krijuar mundësi nxënësve të kësaj lagje që ta kenë sa më afër tempullin e dijes, është përzgjedhur staf arsimor i aftë dhe i përgjegjshëm.
Edhe banorët e lagjes së dytë në qytet i janë gëzuar ndërtimit të shkollës së re, e cila u përurua solemnisht të mërkurën. Një djerrinë në këtë lagje, tanimë është shndërruar në një ambient të dijes dhe arsimimit, prej nga pritet të dalin gjenerata të tëra shkollarësh. /RadioRINIA/









