Home LAJME Politikanët e Shqipërisë vlerësojnë procesin zgjedhor në Kosovë, e cilësojnë model për...

Politikanët e Shqipërisë vlerësojnë procesin zgjedhor në Kosovë, e cilësojnë model për rajonin

179
0
SHARE

Politika shqiptare ka përshëndetur procesin zgjedhor në Kosovë duke uruar fituesit. Kryeministri Edi Rama ka uruar fituesit e zgjedhjeve në Kosovë, ndërsa ka vlerësuar edhe gjestin e Kadri Veselit për pranimin e humbjes dhe që tashmë do të jetë në opozitë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama nuk e cilëson Kurtin fitues, por e uron për rezultatin e parë më të mirë.

“Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare. Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën” shkruan Rama.

Ish-kreu i grupit të LSI-së, aktualisht n/kryetar i kësaj force politike Petrit Vasili thotë se zgjedhjet në Kosovë ishin dinjitoze në çdo pikëpamje, ndërsa kur e krahason situatën me Shqipërinë sulmon kryeministrin Edi Rama.

“Zgjedhjet:Faqja e bardhe e Kosoves dhe faqja e zeze e Edi Rames! Kosova mbajti zgjedhje te shkelqyera ne cdo pikpamje dhe doli me e rritur dhe me dinjitoze perpara gjithe botes. Kosova brenda disa oreve mbaron numerimin e votave. Kosova i beri zgjedhjet edhe te parakohshme, edhe me shume alternativa dhe e realizoi rrotacionin e pushtetit ashtu sic e vendosi populli.

Kjo ishte faqja e bardhe e Kosoves. Edi Rama edhe kur voton vetëm i duhen 27 dite qe te nxjerre rezultatin. Edi Rama ben votime me nje parti te vetme si diktatoret me idiote te botes. Edi Rama për shkak te kriminalizimit dhe korruptimit pengon zgjedhjet e parakohshme dhe e shkaterron imazhin e Shqiperise perpara gjithe botes dhe i ben shqiptaret me mijra qe te largohen. Kjo eshte pra faqja e bardhe e Kosoves dhe njeherazi faqja e zeze e Edi Rames” shkruan ai.

Zgjedhjet, Meta: Kosova shembull

Edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar duke përshëndetur zgjedhjet në Kosovë. Kreu i shtetit shqiptar i cilëson zgjedhjet në Kosovë si shembull të shkëlqyer të funksionimit të demokracisë, ndërsa thotë se rajoni ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira duke ‘thumbuar’ institucionet shqiptare, referuar krizës së thellë politike.

“Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë. Urime qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike, që i treguan mbarë botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë!” thotë Meta/Shqiptarja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here