Home LAJME Prokurorja do që përgjimet për “Pronto” të dëgjohen në Gjykatë, avokatët kundër

Prokurorja do që përgjimet për “Pronto” të dëgjohen në Gjykatë, avokatët kundër

215
0
SHARE

Prokurorja speciale Drita Hajdari e cila e ka ngritur këtë aktakuzë ka kërkuar nga trupi gjykues që të dëgjohen incizimet ku janë të përfshirë të akuzuarit.

Avokati Florent Latifi që në këtë rast penal e përfaqëson të akuzuarin Adem Grabovci ka kërkuar nga gjykata që të mos dëgjohen përgjimet.

“Vërtetësinë e bisedave nuk e konteston askush”, ka thënë ai para trupit gjykues.

Sipas Latifajt incizimet kanë qenë në media dhe është e paarsyeshme të dëgjohen edhe një herë.

Edhe avokati i ish-ministrit Beqaj, Besnik Berisha e ka cilësuar të panevojshme dëgjimin e incizimeve.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti e ka pyetur Berishën nëse u besojnë përmbajtjes se bisedave që janë pjesë e aktakuzës. Berisha ka thënë se askush nga mbrojtja nuk pretendon se bisedat janë falsifikuar por se ka kontestuar legjitimitetin procedural të nxjerrjes se provave.

Edhe avokatët e tjerë që përfaqësojnë të akuzuarit tjerë nuk janë të pajtimit që përgjimet të lëshohen në seancë.

Ndryshe nga të akuzuarit e tjerë, Rexhë Abazi ka kërkuar nga gjykata që incizimet ku është i përfshirë ai të dëgjohen. Avokatja Albana Kelmendi që përfaqëson Abazin ka thënë se çdo provë rreth klientit të saj të lexohet e dëgjohet.

Prokurorja speciale Drita Hajdari kur e ka marrë për së dyti fjalën ka thënë se nuk është e vërtetë që janë dëgjuar në media të gjitha bisedat pasi që sipas saj ka edhe biseda tjera të padëgjuara.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti ka deklaruar se nëse lejohet dëgjimi i këtyre përgjimeve duhet të ndërrohet salla sepse nuk ka kushte për t’i dëgjuar.

Trupi gjykues është tërhequr për të vendosur nëse duhet të dëgjohen ose jo përgjimet në gjykatë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here