Home LAJME Tahiri nga PDK-ja: Qytetarët të dalin të votojnë për të ardhmen e...

Tahiri nga PDK-ja: Qytetarët të dalin të votojnë për të ardhmen e sigurt të Kosovës

245
0
SHARE

Zyrtari i lartë i PDK-së, Abelard Tahiri, ka paraqitur para medieve të gjeturat e deritashme në procesin zgjedhor ndërsa ka ftuar qytetarët të dalin në zgjedhje për ta vendosur fatin e sigurt të vendit në katër vitet e ardhshme.

“Është inkurajuese që procesi zgjedhor ka filluar për së mbari dhe mijëra qytetarë janë duke e kryer detyrën e tyre qytetare. Dalja deri më tani është relativisht e kënaqshme, gjë që dëshmon se qytetarët i janë përgjigjur ftesës për të votuar për të ardhmen e tyre dhe të Kosovës. Shfrytëzoj edhe këtë rast, që në emër të PDK-së edhe ata qytetarë që ende nuk kanë votuar, të dalin dhe të vendosin për fatin e tyre në katër vitet e ardhshme”, ka thënë Tahiri.

Ai po ashtu ka paraqitur para medieve denoncimet e deritashme nga përpjekjet e partive për të blerë vota dhe dëmtuar procesin zgjedhor.

“Përkundër nisjes së mbarë të procesit të sotëm zgjedhor, shqetësuese mbeten përpjekjet e militantëve partiakë për ta deformuar vullnetin e qytetarëve, duke dëmtuar procesin zgjedhor. Shtabet tona lokale i kanë raportuar disa prej këtyre parregullsive. Në Prizren kemi denoncuar blerjen e votave nga militantë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky rast është raportuar edhe në polici dhe ka ndodhur rreth orës 10:00 në Qendrën e Votimit ‘2003a’, në ambientet e shkollës ‘Abdyl Frashëri’, ku është zënë në flagrancë një aktivist i Vetëvendosjes. Ky person është shoqëruar edhe në stacionin policor”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu, Tahiri ka thënë se raste të tilla ka pasur edhe në shkollën “Migjeni” në Mitrovicë, ku një aktivist i Vetëvendosjes ka qëndruar në afërsi të vendvotimit, duke ndikuar tek qytetarët dhe duke i joshur ata për shitje të votës.

“Ndërsa, besoj e keni parë të gjithë, sepse ishte përmes mediave, sesi është filmuar Kryetari i Vetëvendosjes në Pozharan të Vitisë, duke blerë vota. Këto janë shkelje të rënda. Dhe, gjithashtu, përveç Vetëvendosjes, në Zhabar të Mitrovicës, janë parë edhe zyrtarë të LDK -së duke bërë presion tek qytetarët dhe duke u përpjekur të deformojnë vullnetin e tyre. Me këtë rast u bëjmë thirrje të gjithë komisionerëve tanë që të mos bien pre e provokimeve dhe ta ruajnë qetësinë, duke mbledhur fakte për ta raportuar çdo shkelje ligjore që bëhet, në mënyrë që të garantohet zbatimi i plotë i ligjit”.

“Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe vëzhguesve të huaj dhe vendorë që të tregohen më të vëmendshëm në identifikimin dhe evidentimin e çdo parregullsie. Për fund, i ftojmë të gjithë qytetarët që ende nuk kanë votuar, që pavarësisht përpjekjeve për t’i dekurajuar, të dalin dhe të votojnë dhe të mos dorëzohen përballë presioneve”, ka thënë Tahiri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here