U VARROS DINO ASANAJ

Published on Jun 15 2012 // Lajme, Siguria
..

(E plotësuar)Iu dha lamtumira e fundit Dino Asanajt, drejtorit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Asanaj u varros në orën 17 në varrezat e qytetit në Prishtinë, nga familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuqi tha se do e ndjejnë mungesën e Dino Asanajt, siç e quajti ai, një burri të çmuar, të civilizuar dhe me tradita intelektuale dhe familjare.

“Dino Asanaj megjithëse i shpërngulur në SHBA asnjëherë nuk iu nga atdheu i tij, ai iu gjet pranë vendin në momentet më të vështira duke dhënë kontributin e çmuar si në luftën për liri, po ashtu edhe në rindërtimin e vendit. Zoti Asanaj në momentet më të vështira dhe më të rëndësishme për liri e Kosovës, nuk ka hezituar për të dhënë ndihmën e tij, këshillat e tij dhe gjithë potencialin intelektual dhe njerëzor për vendin e tij. Kështu, ai dha një kontribut të çmuar në procesin e vështirë të negociatave të gjata që quan në çlirimin e Kosovës, në luftën e UÇK-së dhe duke u shndërruar një urë-lidhëse në mes të Kosovës dhe migracionit tonë në botë, në veçanti në SHBA”, ka thënë ai.

Ndërsa, në emër të familjarëve të tij, foli Haxhi Arifi, i cili tha se Dino do të vazhdojë të jetojë me veprën e tij.

“Dino u largu parakohshëm prej familjes për të hapur horizonte për të gjithë ne. Dino fatkeqësisht u largu parakohshëm edhe nga jeta, është humbje e madhe e pakompensueshme, për të gjithë. Kur ju shoh të gjithë ju bindem që Dino do të vazhdojë të jetojë me veprën e tij”, ka thënë ai.

Atë e varrosën familjarët e tij, kolegët dhe shumë zyrtarë të lartë të vendit. Asanaj vdiq dje në QKUK, pas plagëve të marra me thikë në zyrën e tij në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, kurse ende nuk është arrestuar askush lidhur me rastin. /kosovapress/

Dino kishte nëntë plagë në gjoks, e dy në fyt

Burime të Gazetës Express nga Insituti i Mjekësisë Ligjore, thonë se tashmë raporti për vdekjen tragjike të Dino Asanajt është hartuar dhe ai do t’i përcillet ditëve të ardhshme Prokurorisë së Shtetit.

Një zyrtar i lartë i këtij institucioni, ka thënë se, sipas ekzaminimeve, del që Shefi i AKP’së e ka vrarë vetën.

Ai ka saktësuar se në trupin e Asanajt janë gjetur 11 plagë, 9 në gjoks dhe 2 në fyt. Të gjitha të shkaktuara nga një mjet i preftë, që dyshohet të jetë thikë.

“Fatale ka qenë goditja në gjoks, afër zemrës”, ka saktësuar ai.

Ejupi: Jam i tronditur nga vrasja e Asanajt

Biznesmeni Remzi Ejupi ka reaguar pas publikimit dhe lakimit të emrit të tij në media, përderisa ka kërkuar që vrasja e “tmerrshme e Dino Asanajt të zbardhët sa më shpejt”.

“Me keqardhje kam marr lajmin për vrasjen makabër të z. Dino Asanaj. I shprehi ngushëllimet e mija më të sinqerta familjes Asanaj. Kjo vrasje e tmerrshme e cila na ka tronditur të gjithë neve duhet zbardhur sa më shpejt dhe të marrin dënimin e merituar ata që bënë këtë akt qyqar”, shkruan në reagimin e tij Ejupi.

Ai në këtë rast ka përmendur me keqardhje deklarimet e tij të mëparshme për raportet e tij më të ndjerin rreth rastit të Hotelit “Grand”. Këtë thotë se e bën për shkak të publikimit nëpër media të emrit të tij dhe rastit “Grand”.

“Unë qëndroj mbrapa deklarimeve të mija për të cilat kanë raportuar gazetat: “Express”, “Zëri” dhe “Koha ditore”, unë edhe drejtpërdrejt kam folur në emisionin Interaktiv në KTV. Ftoj të gjithë që të presim rezultatet e hetimeve dhe të mos e shfrytëzojnë rastin dhe vdekjen tragjike të të ndjerit Asanaj për përfitime personale dhe për ta shitur gazetën. Mbes i bindur që autoritetet e vendit dhe ato ndërkombëtare do të zbardhin

motivet e vërteta të kësaj ngjarjeje tragjike”, ka thënë ndër të tjera Ejupi.

Reagimit i Remzi Ejupit, pronarit të Gazetës “Zëri”, vjen pasi që në zyrën e Dino Asanajt, policia ka gjetur një letër në dorëshkrim.

“Remzi Ejupi, gazeta ‘Zëri’ dhe Abdurrahman Konjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin duke vepruar kështu”, janë këta rreshtat në letrën që duket se është nënshkruar nga vetë Asanaj, shkruan sot Koha Ditore.

Vazhdon ekzaminimi i provave

Autoritetet e rendit në Prishtinë, ende nuk kanë dhënë ndonjë detaj lidhur me motivet dhe vrasjen e Dino Asanajt, drejtor i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili të enjten vdiq nga plagët e marra nga një sulm me thikë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion më të hollësishëm, pasi që, sipas tyre, hetimet janë ende duke vazhduar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu tha për Radion Evropa e Lirë se njësitë hetimore të policisë, janë në fazën e ekzaminimit të provave të gjetura në vendin e ngjarjes.

“Policia e Kosovës, konkretisht drejtoria për hetimin e krimeve të rënda, pra hetuesit që janë të angazhuar lidhur me ketë rast, janë duke punuar intensivisht në hetimin e këtij rasti. Momentalisht janë në fazën e ekzaminimin të provave dhe dëshmive që janë të lidhura me këtë rast”, bëri të ditur Sadriu.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se ende nuk ka filluar procesi i autopsisë, pasi që për rastin, pritet të formohet një komision.

“Jemi në pritje të urdhëresës dhe formimit të një komisioni, dhe brenda komisionit do të jetë edhe një ekspert mjeko-ligjor nga EULEX-i, dhe dy ekspertë mjeko-ligjorë vendorë. Urdhëresa është në rrugë e sipër dhe do ta përfundojmë edhe rastin në fjalë”, tha Gërxhaliu.

Dino Asanaj e la një letër

Në zyrën e të ndjerit, Dino Asanaj, policia ka gjetur një letër në dorëshkrim, e cila shpie në konkludim se bëhet fjalë për vetëvrasje.

“Remzi Ejupi, gazeta ‘Zëri’ dhe Abdurrahman Konjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin duke vepruar kështu”, janë këta rreshtat në letrën që duket se është nënshkruar nga vetë Asanaj, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë letra, nuk e përjashton as vrasjen, as inskenimin e vetëvrasjes.

Burime brenda policisë kanë thënë se trupi, pothuajse pa shenja jete, i Asanajt ishte gjetur nga shoferi i tij mesditën e së enjtes dhe se përkundër dërgimit të shpejt në QKUK, ai nuk i kishte mbijetuar plagëve.

“Në zyrë përveç gjakut të shumtë nuk është parë ndonjë parregullësi tjetër. Në tavolinën e punës ka qenë një pako cigaresh, shkrepsa mbi të, dy duqa të cigares në shpuzore, telefonat si dhe letra e stilolapsi”, shkruan të ketë thënë ky burim për gazetën.

Gjithnjë sipas tij, me këto prova dhe të tjera të mbledhura mund të zbulohet vrasja apo vetëvrasja e mundshme.

Sipas të njëjtit, po sa të merren gjurmët nga letra, ajo do të dërgohet për ekspertizë grafologjike për të vërtetuar nëse shkrimi dhe nënshkrimi kanë autorë Dino Asanajn apo dikë tjetër. Ky burimi nuk e ka përjashtuar vrasjen si akt dhe inskenimin e gjithë kësaj ngjarje.

Variantin e vetëvrasjet duket se do ta hedh poshtë edhe autopsia meqë ekzaminimi i parë tash ka treguar se i ndjeri ka më shumë goditje me thikë se sa do të ishte e mundur po të ishte vetëvrarë.

“Së paku shtatë plagë nga thika janë evidente në trupin e Asanajt”, ka thënë një burim për gazetën.

Përmbajtja e letrës së gjetur në zyrën e Asanajt flet për Remzi Ejupin dhe Abdurrahman Konjufcën, të cilët e kanë akuzuar të ndjerin se u ka kërkuar para. Ejupi e ka akuzuar atë se i ka kërkuar mbi 4 milion për t’ia dhënë hotelin “Grand”, ndërsa Konjufca e ka akuzuar se i ka kërkuar para për një fermë pulash në Lipjan.

“Mbeta i habitur, për të mos thënë i shokuar me disa nga shkrimet ku trajtoheshin pretendimet kundër emrit tim”, shkruante i ndjeri në letrën e fundit që ua kishte dërguar mediave.

“Këto shkrime dhe njollosje i cilësoj të jenë nga ato përpjekje të njerëzve jo profesionist që pa kurrfarë etike manipulojnë me opinionin vetëm për të shtrembëruar faktet dhe të vërtetat”, shkruante Asanaj në reagimin e tij, duke shtuar se dëmet që i kanë sjell ekonomisë së vendit pretendime e tilla, janë të shumëfishta.

Dino Asanajn e mbysin me thikë

Dino Asanajn e vranë me thikë në zyrën e tij mesditën e së enjtes. Shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit u dërgua i gjallë në QKU, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra në gjoks dhe fyt. Policia nuk ka arrestuar askënd, e as nuk ka të dyshuar. Në hetime është përfshirë edhe EULEX’i.

Dino Asanajn e vranë me thikë mesditën e së enjtes.

Dyshohet se Shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit u ekzekutua derisa ishte në zyrën e tij, që ndodhet pranë shtëpisë ku jetonte në Fshatin Ndërkombëtar në Veternik, në afërsi të Prishtinës.

Mjekët nga Qendra Klinike Universitare u munduan t’i shpëtojnë jetën, por disa orë më vonë, në konferencë të shkurtër për media, ata shprehën keqardhje pasi nuk mundën ta bënin këtë.

Sipas tyre, Asanaj kishte plagë të rënda në fyt dhe gjoks.

Dino Asanaj, i cili ishte kryetar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, iu ka nënshtruar edhe ndërhyrjes kirurgjikale, por pa sukses.

Humbja e madhe dhe e shpejtë e gjakut, sipas mjekëve, kishte bërë që ata të mos mund të bënin asgjë më shumë.

Deri në orët e vona të së enjtes, sipas policisë, të dyshuar apo të arrestuar në lidhje me këtë akt të rëndë nuk ka pasur.

Motivet që fshihen pas vrasjes, sipas policisë, ende nuk dihen.

Gati gjatë tërë ditës së enjte, ata kanë qëndruar në vendin e ngjarjes.

Në të njëjtën kohë, ata kanë bllokuar në perimetër prej dhjetëra metrash zyrën ku Asanaj është plagosur me mjet të fortë, që, sipas policisë, ishte thikë.

Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 12 e ditës së enjte, kur Dino Asanaj ishte duke punuar në zyrën private afër shtëpisë.

Dyshohet se në momentin tragjik, Asanaj ishte i vetëm në zyrë.

Disa orë më vonë edhe policia konfirmoi rastin.

Sipas tyre, personi i lënduar është transportuar menjëherë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

“Ndërkohë nga Qendra Klinike Universitare në Prishtinë policia ka pranuar informacionin se rreth orës 14 e 30 minuta viktima e këtij rasti ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve nga ky incident”, thotë policia.

Por, sipas mjekëve, në gjendjen në të cilën Asanaj ishte dërguar në QKUK, ishte e vështirë të bëhej diçka më shumë për t’ia shpëtuar jetën.

“Gjendja në të cilën është sjellë në QKU ka qenë shumë e rëndë për shkak të plagëve të marra dhe humbjes së një sasie të madhe të gjakut”, ka thënë një mjek në QKU.

Pritja e trishtueshme

Përderisa Dino Asanaj luftonte për jetën në njërën nga sallat e operacioneve, bashkëshortja e tij, të afërm të shumtë, kolegë të AKP’së e zyrtarë të tjetër pritnin të trishtuar ndonjë informacion nga ekipi i mjekëve.

Madje të afërmit u kërkonin mjekëve që nëse është nevoja për ta dërguar jashtë vendit, vetëm të tregojnë.

“Ne bashkë me ekipin kryem punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai është ende në sallë duke u reanimaur. Po presim reagimet e para pas operimit”, iu drejtua një kirurg familjarëve dhe miqve të shumtë të tashmë të ndjerit Dino Asanaj.

Derisa Asanaj kishte rreth dy orë që luftonte për jetë, në QKU mbërritën edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Përveç tyre, aty erdhën edhe një numër i madh policësh, të cilët tentonin të merrnin ndonjë informacion ose dëshmi nga ndonjë dëshmitar i mundshëm.

Por, rreth dy orë më vonë, në orën 14 e 30 minuta, ekipi i mjekëve në krye me drejtorin e Kirurgjisë, Mehmet Maxhuni, ia kumtuan familjarëve lajmin e kobshëm.

Me keqardhje thanë se Asanaj kishte vdekur, pavarësisht përpjekjeve maksimale të mjekëve për t`ia shpëtuar jetën.

“Rreth orës 13 e 15 minuta, një pacient është sjellë në Emergjencë në gjendje të rëndë shëndetësore, ku besohet se ai është goditur me thikë”, tha drejtori Maxhuni i cili më pas mbajti një konferencë të shkurtër për media.

“Pas pranimit në emergjencë, ekipi i kirurgëve, të ndihmuar edhe nga ai vaskular e torakal, e kemi futur në sallën e operacionit pacientin duke bërë çdo përpjekje që ai të shpëtojë”, vazhdoi më tej Maxhuni.

“Pacienti kishte dy plagë, njërën në fyt dhe tjetrën në gjoks. Derisa është sjellë në QKU, ka humbur shumë gjak. Ai nuk ka mundur t`u rezistojë plagëve të rënda të marra dhe ka vdekur”, tha kirurgu Mehmet Maxhuni.

Ndërkohë, deri në orët e vonat të së enjtes, Policia e Kosovës nuk ka pasur asnjë të dyshuar e as të arrestuar.

Sipas tyre, Njësiti i Forensikës është duke kryer procedurat në vendin e ngjarjes, ku ka ndodhur vrasja.

“Ekipet e hetuesve që janë përgjigjur menjëherë në vendin e ngjarjes, janë në proces të grumbullimit të informacioneve që janë të nevojshme për procesin hetimor dhe zbardhjen e rrethanave rreth këtij rasti të vrasjes”, thanë forcat e rendit nëpërmjet një njoftimi zyrtar.

Rastin e heton edhe EULEX’i

Shefi i EULEX’it, Xavier de Marnac, ka deklaruar se prokurorët e EULEX’it kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me institucionet e Kosovës janë duke hetuar se çfarë ka ndodhur, transmeton InfoGlobi. Sipas tij, hetimet për rastin që nga fillimi e deri në fund të procesimit të tij do t’i zhvillojnë bashkërisht përfaqësuesit e EULEX’it dhe ata të institucioneve të Kosovës.

Qeveria dënon vrasjen e Asanajt

Qeveria e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër aktin kriminal të vrasjes së kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.

“Ky veprim qyqar është një veprim i rëndë kundër individit dhe shoqërisë kosovare, kundër institucioneve demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha është një veprim kundër funksionimit të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë e cila kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat që kryesit e kësaj vrasjeje të dalin para drejtësisë.

Akt i shëmtuar dhe kriminal

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka dënuar vrasjen e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj. “Vrasja makabre e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, është një akt i shëmtuar dhe kriminal. Ky akt ka ngjallur pezëm te të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe institucionet e vendit. Kërkojmë nga organet e rendit që të zbulojnë autorët e vrasjes dhe t’u japin dënimin e merituar”, theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi.

Zhbogar i tronditur

Përfaqësuesi special i BE-së dhe shef i Zyrës së BE-së, Samuel Zhogar, e ka dënuar vrasjen e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanajt.

“Unë jam tronditur shumë kur kam dëgjuar lajmin për vrasjen e zotit Dino Asanaj, kryetar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Vetëm disa javë më parë ne u takuam dhe diskutuam planet e privatizimit të Kosovës. Unë e dënoj këtë akt brutal, që është një sulm mbi sigurinë e përgjithshme dhe mbi sundimin e ligjit në Kosovë. Unë u bëj thirrje gjyqësorit dhe autoriteteve të sigurisë që të japin maksimumin dhe të sjellin autorët para drejtësisë”, ka thënë në një deklaratë për media Zhbogar.

Feith ngushëllon

 

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, dënoi vrasjen e Dino Asanajt, drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. “Dino Asanaj ka punuar pa pushim për të ardhmen e vendit të tij si një demokraci e lirë dhe moderne evropiane, e bazuar në ekonominë e tregut. Jam i pikëlluar thellë nga lajmi për vrasjen e tij dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij”, ka deklaruar Feith. Sipas tij, shumë miq dhe kolegë të tij në Zyrën Civile Ndërkombëtare do ta mbajnë mend Dino Asanajn për udhëheqjen dhe përkushtimin e tij për ta çuar Kosovën drejt një të ardhmeje ekonomike me më shumë prosperitet.

Profil – Dino Asanaj

Vrasja e Dino Asanajt, kryetar i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), është padyshim një ndër aktet më të rënda që kanë ndodhur viteve të fundit në vend. Për më tepër, dyshimet për mënyrën dhe vendin se si u ekzekutua e bëjnë këtë vrasje të cilësohet si e tmerrshme. Derisa policia vazhdon të mbledhë gjurmët dhe provat për të arrestuar personin që kreu aktin dhe për të zbuluar motivin, lidhur me profilin publik të Dino Asanajt ka mendime të ndryshme.

Por, kush ishte Dino Asanaj?

Një biografi e plotë e tij është e vështirë të gjendet. As në institucionin që ai e ka drejtuar nuk mund të gjesh jetëshkrim të tij. Përveç emrit dhe mbiemrit të tij dhe pozitës si kryetar dhe drejtor i AKP’së, i emëruar në vitin 2008, aty nuk gjendet asgjë tjetër. Sidoqoftë, në deklarimet dhe intervistat e tij të dhëna herë pas here, Asanaj ka treguar diçka nga e kaluara e tij dhe përgatitja profesionale. Muaj më parë ai kishte deklaruar se do të jepte dorëheqje nga ky post, por më vonë ishte shprehur se pas lutjeve të kolegëve të tij, kishte vendosur të vazhdonte punën. Dino Asanaj ishte 55 vjeç nga Peja, i cili për dy dekada kishte jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Atje Asanaj kishte emigruar në vitin 1985. Fillimisht ishte angazhuar si punëtor i thjeshtë në disa kompani ndërtimi. Kështu kishte vazhduar deri në vitin 1990, kur në vendin e mundësive dhe realizimit të ëndrrave ai e ka hapur kompaninë me emrin “DD Interiors” në New York.

Puna e kësaj kompanie ishte transformimet e brendshme të ndërtesave, për t’u bërë shumë shpejt firmë me qarkullim prej 15 milionë dollarësh amerikan. Krahas punës si biznesmen, gjatë asaj kohe, Asanaj kishte mbajtur edhe kontaktet me vendlindjen, më saktësisht me drejtues të Qeverisë së Përkohshme në Kosovë, përkatësisht me Kryeministrin e tanishëm, Hashim Thaçi apo me ish-kryeministrin Agim Çeku. Së paku kështu ishte shprehur vetë Asanaj gjatë deklarimeve të tij publike. Sa i përket shkollimit, Dino Asanaj ishte shprehur se në vitin 1983 kishte përfunduar Fakultetin e Mbrojtjes në Beograd. Por, Asanaj nuk ishte vetëm në krye të AKP’së. Biznesin e tij ai e vazhdoi duke investuar miliona për ndërtimin e Fshatit Ndërkombëtar në Prishtinë, vend ky që njihet edhe si “fshati amerikan”.

Shumë prej këtyre shtëpive i kanë blerë zyrtarë të lartë institucionalë, biznesmenë të ndryshëm apo artistë të njohur. Vetë Asanaj ishte shprehur se ky projekt kishte një kosto të përgjithshme prej 25 milionë eurosh.Foto: Atdhe Mulla

Leave a comment