Vetëm Kusari-Lila mbron privilegjimin e “SharrCemit”
Prishtinë – Vendimi për masat e përkohshme mbrojtëse për çimento me 35 për qind nuk do të hiqet pa dhënë rezultatet e tij. Ky është qëndrim i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ky qëndrim po mbahet edhe më tej me gjithë kërkesat e bizneseve nga Kosova dhe Shqipëria për anulimin e këtij vendimi.
Një kërkesë të tillë e kanë bërë të hënën përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë, nëpërmjet odave ekonomike, të cilët thonë se ky vendim karakterizohet me mungesë të dialogimit paraprak dhe thonë se është një vendim i sjellë në mënyrë ad hock.
“Nuk kemi dëshiruar qe të përsëritet e kaluara dhe vështirësitë që kemi pasur me eksportin e patates. Konsideroj se një qasje e tillë është joserioze për vetë ne, por mbi të gjitha është joserioze për faktorin ndërkombëtar nga fakti që edhe Komisioni Evropiane e sheh një proces të tillë si të panevojshëm dhe jo të arsyeshëm.”, thotë kryetari OEK-ut, Safet Gërxhaliu.
Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës se Tregtisë dhe Industrisë të Tiranë, tha se kjo Dhomë lidhur me vendimin në fjalë ka reaguar para 3-4 ditësh dhe ky reagim u është drejtuar institucioneve të Shqipërisë dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila. “Nuk dua ta quaj dashakeqësi, por njëkohësisht nuk dua ta paragjykoj vendimin e dalë nga MTI–ja, por në asnjë lloj pike nuk mund të gjejmë një argument logjik, e cila i jep të drejtë kësaj ministrie për vendosjen e kësaj tarife”, thotë Jaka. “Vetë fakti që i kemi të dhënat që deri më 12 qershor të këtij viti në Kosovë “SharrCem Titan” ka shitur 159 mijë tonë ose përmbush 40 për qind të tregut, Fushë Kruja me 125 mijë tonë përmbush 32 për qind të nevojave të tregut, “Titan Shkup” nga Maqedonia me 75 mijë tonelata përmbush 19 për qind të tregut, Helsin Group nga Serbia me 5 mijë tonë etj., e shohim që vërtet kemi një mundësi të daljes nga një situatë e tillë vetëm në qoftë se mbrohet interesi i fabrikave kosovare atëherë ato fabrika mund të plotësojnë vetëm 40 për qind të nevojave të tregut kosovar”, tha kreu i OEK-ut.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, duke e mbështetur qasjen e kryetarëve të asociacioneve të biznesit në Kosovë dhe Shqipëri, tha se duhet t’u japet fund eksperimenteve në kurriz të marrëdhënieve dypaleshe. Ministrja Kusari thotë se këtë vendim nuk duhet lidhur me hakmarrje ndaj vendimit të Shqipërisë për patatet kosovare. “Kjo është taksë e përkohshme, shumë transparente dhe e bazuar në ligj”, thotë Kusari-Lila.
Përfaqësuesit e bizneseve rekomanduan anulimin e vendimit.










