VV: Kryetar na thajte

Published on Jun 15 2012 // Lajme
..

Zëdhënësi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Asdren Osaj, ka thënë se Vetëvendosje ka protestuar gabimisht para Kuvendit Komunal të Prishtinës, ngase, sipas tij, obligimet për furnizim me ujë i takojnë menaxhmentit të Ujësjellësit “Prishtina”.

“Lëvizja Vetëvendosje më ketë veprim, mendojmë se ka zgjedhur institucionin e gabuar për të protestuar, sepse ligji për ndërmarrjet publike e përcakton qartë se kush menaxhon me Ujësjellësin Rajonal ‘Prishtina’, kush janë në fakt pronarët legjitim të këtij ujësjellësi. Prandaj, ne mendoj se një veprim i tillë i ‘Vetëvendosjes’ tregon se ata nuk janë të njoftuar mirë me pushtetin lokal dhe legjislacionin i cili rregullon pushtetin lokal, kompetencat dhe përgjegjësit e institucioneve. Unë i rekomandoj që të lexojnë ligjin për Ndërmarrjet publike dhe të kuptojnë se ku duhet të protestohet dhe në cilat adresat të protestojnë. Duhet të protestojnë te ata që menaxhoj me ndërmarrjen Ujësjellësi Rajonal Prishtina, e jo të Kuvendi Komunal”, ka thënë Osaj.

Nga ana tjetër, Arjeta Mjeku nga Ujësjellësi Rajonal Prishtina, ka shpjeguar për Kosovapress se mungesa e ujit të pijshëm, vjen si rezultat i keqpërdorimeve të shumta.

Por Mjeku, konsideron se është e pa logjikshme se si zyrtarët Komunal të Prishtinës ja hudhin fajin vetëm Ujësjellësit Rajonal Prishtina, për mungesë të furnizimit me ujë për Prishtinën. Sipas saj, një pjesë e fajit duhet ta mbajë edhe Komuna e Prishtinës, sepse lëshon leje ndërtimi pa menduar qasjen në ujësjellës, dhe pa menduar për kapacitete e furnizimit me ujë të atyre ndërtimeve.

“Një pjesë e fajit i mbetet edhe komunës së Prishtinës, sepse ne si ujësjellës nuk jemi ata që japim leje për ndërtime të larta, sepse në momentin kur Komuna e jep një leje, për mendim duhet të jetë edhe përgjegjëse se ajo ndërtesë a do të ketë qasje në sistemin e ujit të pijshëm. A ka ujë të mjaftueshëm, a ka kapacitete që ne t’i furnizojmë ato ndërtime andaj krejt faji nuk i mbetet Ujësjellësit, por një pjesë të fajit e merr edhe Komuna e Prishtinë”, ka thënë Mjeku.

Sa i përket mundësisë së furnizimit të rregullt me ujë për qytetarët e Prishtinës, ajo vlerëson se me ndërtimin e Fabrikës së re ne Shkabaj, do të zgjidhet edhe ky problem dhe qytetarët do të kenë furnizim 24 orë me ujë.

VV: Kryetar na thajte

Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë sot një aksion para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, në shenjë proteste për mungesë të ujit në kryeqytet dhe premtimeve për çdo fushatë elektorale se ky problem do të zgjidhet.

“Kosova ka burime të mjaftueshme të ujit. Mirëpo, Prishtina po hyn në verën e trembëdhjetë, gjatë së cilës qytetarët po vazhdojnë të përballen me reduktime të mëdha të ujit. Pushtetarët komunalë ka trembëdhjetë vjet që nuk investojnë në rrjetin e ujësjellësit. Ata nuk investojnë në ujësjellës, për arsye se investimi në këtë fushë është investim afatgjatë. E mendësia e tyre elektorale nuk sheh qytetarë me të drejta e me nevoja, por qytetarët i sheh vetëm si votues”, thuhet ne një komunikate te Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pushteti komunal investon vetëm në projekte që kanë dukshmëri, e që mund të përfundohen brenda një mandati, në mënyrë që gjatë fushatës së radhës elektorale të lavdërohen me këto projekte. Por, qytetarët e Prishtinës, kanë të drejtë dhe nevojë imediate për furnizim të rregullt me ujë! Kryetari gjatë fushatës së kaluar premtonte 24 orë ujë! E ne sot i themi: “Kryetar na thajte!” Qytetarët e Prishtinës nuk po kanë ujë për t’i pastruar rrobat e për t’i larë enët e tyre. Edhe shishet për të pirë ujë na janë zbrazur. Prandaj, në shenjë proteste, ne Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, i kemi sjellë sot, para komunës, rrobat e papastra të qytetarëve të pakënaqur, enët e palara dhe shishet e zbrazëta. Meqenëse pushtetarët tërë kohën po thonë se janë në shërbim të qytetarëve, atëherë le të na i lajnë rrobat dhe enët, le të na i mbushin shishet me ujë, meqë ujin s’po na e sjellin në shtëpitë tona!”, thuhet me tej ne komunikate. /RadioRINIA/

Leave a comment