Home LAJME Cili gjilanas i njohur ishte kamerieri i Titos? Si shkëlqenin studentët e...

Cili gjilanas i njohur ishte kamerieri i Titos? Si shkëlqenin studentët e Gjilanit në Beograd? Cili gjilanas ishte kryetar i LIdhjes Futbollistike të Jugosllavisë?…

427
0
SHARE

Kujtimet na sjellin gjurmët e kohës – na e rikthejnë të djeshmen për të kuptuar si jetohej dikur…
Atik mëhalla – lagja e vjetër ka dhënë shumë emra, ka lënë shumë gjurmë…
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Rrëfimi i radhës i dr. Shevqetit për Atik mëhallën na kthen në kohë e ritme jete, në sokake, ngjarje, na rikujton figura të rëndësishme të jetës shoqërore, politike e sportive, të zejeve e shumë veprimtarive e organizimeve të atëhershme…
Në vazhdimin e tretë mund të lexoni:
Kush ishte kamarieri i Titos në Gjilan? Ai mbante edhe certifikatën e lindjes që ia kishte lëshuar në Gjilan pushteti i Republikës së Shqipërisë! Kush ishte kryetar i Shoqatës Basketbollistike të Koosvës? Kush ishte kryetar i Lidhjes Futbolllistike të Jugosllavisë? Kush ishte kryetar komune? Si gumëzhinte farkataria e Tefikut dhe si e shikonin fëmijët e kohës aktivitetin e tij? Në cilën lagje jetuan shkrimtarët gjilanas Beqir Musliu e Musa Ramadani? Kush ishte mësues, gazetar, konzul në Stamboll dhe kryetar komune? Cila ishte femra e parë gjilanase që ka kënduar për Radio Prishtinën? Etj, etj…
3.
Kujtimet për ty Atik mëhallë vlojnë pafund; nuk po die as vet se cilat impresione t’i përdor për kujtimet e mia, pasi faqja më kufizon të shkruaj për shumë finesa që mban në shpirtin tënd! Ah sa shumë kam për të thënë, e sa shumë fjalë më duhen që ta qëndis jetën… Në xhaminë Atik ishte shatërvani me disa çezme, para shatërvanit ndodheshin katër varre, ndërsa xhamia që nga viti 1954 kishte edhe trapazanin e bukur, që sot nuk është.
Përballë xhamisë banonin Galipi dhe Haqif Tetova, ndërsa në të djathtë, afër teqes “Helveti” gjendej shtëpia e Shaban Nobërdaliut, që kishte djalë Adnanin, i cili punonte në Entin për punësim.
Ditën e Shëngjergjit, nënat me vajzat e tyr vizitonin teqen “Helveti” të Hamdi shehëve, pastaj edhe teqen “Sadi” në Muhaxhir mëhallë. Rrruget ishin përplot njerëz; femrat lëviznin si fidanët që tund era, ato mbushnin rrugët, tregonin si kishin vepruar në teqe dhe cilat ishin dëshirat e tyre… Në sokakun e parë të “Pishtol” mëhallës banonin llashticët, livoçët, malishevët, Masar Gjinolli, Shefik “Amerika”, i cili kishte djalë Hajredinin, mjeshtrin e futbollit, dhe Tefiku, që ishte djali i kryetarit të parë të Gilanit pas 45-ës – Ramush Osmanit.
Ah Gilan, ah zaman! Ah Gjila, ah kohë! Në sokakun e dytë të “Pishtol” mëhallës banonte Idriz “pushkari”, ne saje të të të cilit kjo rrugë kishte marr vonë këtë emër, Isuf Kiki, që kishte qenë pjesëmarrës i aradhës rinore në Drenicë. E, Masar Xhinolli e kishte bashkëshorte Zehrën, e cila në rrugën time të lindjes vizitonte motrën Mejremen, bashkëshorten e Emin Osmanit dhe vëllaun Isë Devajën. Në këtë sokak banonin Teka, që kishte kioskun te Shkolla e Muzikës dhe kamarieri Shuka (Shukri Abduallu, nuk jeton më), i cili kishte shërbyer plot 50 vjet qytetarët dhe zyrtarët e Gilanit dhe mysafirët që vinin nga e gjithë Jugosllavia. Shuka , siç e njihnim e e thirrnim të gjithë, me 13 prill 1971, gjatë vizitës së tij në Gjilan, i kishte shërbyer edhe Titos. Shuka ruante certifikatën e lindjes që në Gjilan ia ka kishte lëshuar pushteti popullor i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore kur Shqipëria ishte përkohësisht në Kosovë! Shkruante: Republika e Shqipërisë, Qarku Gjilan dhe shënimet mbi identetin e Shkuri Abdullahut, sepse ai kishte lindur atë kohë…
Ndërsa, Halimi, vëllau i Sabit agës, kishte vajzën Nerminen të martuar për Ali Buhiqin, mësuesin – veteranin e arsimit dhe anëtarin e Teatrit gjilanas në fillet e para. Abdulla Saliqava kishte shtëpinë e Ali Bajqës, ish-tregtar i vjetër. Çiflik mëhalla ishte lagje e tregtarëve në Gilan. Në këtë mëhallë jetuan Musa Ramadani dhe Beqir Musliu (për këta në pjesën e 5-të).
Ah Gilan, ah zaman, ah Atik mëhallë! Aty ku fillon rruga “Abdulla Presheva” gjendej farkatari Tefiku, që ne fëmijët me orë shikonim se si ai fryente “pushillen”, si skuqte hekurin, si mprehte sopatat (sakicat) me “buxhillë”. Në fillim të sokakut kishte banuar mulla Xhema, pastaj hoxhovitët, që banojne edhe sot. Aty, në fëmirinë time e kishte pasur berberhanen Mehmeti, i cili e kishte varur në derë pjatën për shkumbimin e sapunit, që e përdorte për rrojë të klientëve.
Në sokakun e parë banonte familja e Ibrahim Mehëve, qe ia shesin shtëpinë mulla Riza Poliçkës, ndërsa afër ishte xha Destani nga Budriga. Përmes sokakut dhe nëpër oborre kalonte lumi Banja. Djathtas banonte xha Ismajli, tregetar që punonte me tekstil, kishte vëlla Xhemalin, ndërsa djal të vëllaut – Muharremin “Cirin”. Xha Ismajli kishte bashkëshorte motrën e Rexhep Roshkut, njeriut me të njohur për skarë në Gilan. Këtu banonte Aziz Kosovica , i cili kishte hekurishtoren deri me 1963. Qahil Staneci kishte tufen e deleve, ishte tregtar i njohur i kafshëve, shumë bashkepunonte me xhaxhain tim Bajrushin, që njihej me nofken “Bajqa”. Kishte shtëpinë dykatëshe me trapazan, me dritare çifte në dhoma. Xha Shaipi nga Vërbani i Vitisë kishte edhe dy vëllezër, ishin furrtar, djali Shyqa punonte në Elektrokosovë. Bashkëshortja e xha Shaipit kishte shoqe bashkëshporten e Mehmet berberit Nobërdalisë; ajo nuk dinte turqisht, gruaja e Mahmetit nuk dinte fare shqip, por ishin shoqe të ngushta. Shpirtrat e mirë bashkohen edhe kur nuk flasin me zë!
Ah Gilan, ah zaman, ah Atik mëhallë! Si mund të harroj Rexhep Hakulin, që te shkolla “Musa Zajmi” dhe para kinemasë shiste fara. Sokaku i dytë njihet nga qytetarët si sokaku i Klaiqëve, por në këtë sokak jetojnë edhe malishevalitë, nobërdalitë, kollarët; kanë jetuar Pazvanët, xha Halimi, janjevalitë, Jusufi dhe Ramadani. Këtu, një kohë, kishin banuar Llabjanët, që më vonë kalojnë në Sheqer mëhalle, pos Meminit, i cili ndihmoi në rregullimin e instalimit të rrymës elektrike në xhaminë Shehzade me 1987. Ky sokak ishte më dinamik se sokaku i parë; ishte burim i intelektualëve, sportistëve, muzikës, efendikullukut, por edhe ndonjë problematiku! Tefik Klaiqi kishte pasur 5 fëmijë: Arifin, Qazimin, Nazimiun, Hajdarin dhe Tasinin. Sadik Klaiqi kishte fëmijët: Rexhepin, Ibrahimin, Ahmetin dhe Sylejmanin. Është për të cekur se në këtë mëhallë ka qenë vetëm një familje serbe, Rista. Xha Ismajlhakiu, i cili punonte në komune edukoi tre djem, ndërsa xha Halimi, qe kishte djalë Zeqën, ishte trashëgimtar i Ahmet Hasan Arabistanit. Ramadani dhe Jusufi ishin tregtarë të njohur të Gilanit dhe kishin lidhje familjare me Halit Rexhepin e mëhallës sime.
Ah Gilan, ah zaman! Ky sokak lidhej me Çiflik mëhallen – me “Dar” sokakun, ku femrat çdo kohë vizitonin njëra- tjetrën, duke shfrytëzuar kapixhikët që i kishte çdo shtëpi. Në këtë sokak me ndikim dhe autoritet ishin Nobërdalitë, xha Hakiu, që vdiq duke u falur në xhaminë “Shehzade”; Bejtë Nobërdaliu ishte mësues, gazetar, konzul në Stamboll dhe kryetar komune. Këtu banonte edhe Zijadin Nobërdaliu, i cili ishte mësues dhe faktor politik në Kuvendin e Kosovës.
Kur ishim fëmijë, gjatë Ramazanit rinia e kësaj mëhalle, në krye me Panqen, duke përdorur muzikën na “shkilte” mëhallën, duke na “thye” moralin dhe egon e mëhallës.
Si mund të harroj vëllezërit: Sahitin dhe Halitin, qe kishin studiuar në Beograd, kur isha në studime në Beograd në Fakultetin e Mjekësisë, për të ciliët studentët flisnin fjalë të mira. Në këtë sokak kishte banuar mulla Osman Zeherliu, i cili ishte nga Janjeva, mulla Shabani, pastaj vendosen Bexhet Novosella dhe Riza Mihovci – arabaxhiu i Ndërmarrjes Shoqërore Tregtare (NShT) “16 Nentori”.
.
Ah Gilan, ah zaman, ah Atik mëhallë! Aty ku laheshin rrobat nga romët me perajkë në anën e majtë gjendej shtëpia e Medinagëve, qe ia kanë shitur shtëpinë Mehmetit nga Hogoshti. Fatimja, vajza e kësaj familje, ishte femra e parë gjilanase që ka kënduar për Radio Prishtinën, ndërsa Elemejdini shkruante firmat në shitoret e Gjilanit. Mulliri, që dikur u quante i nobërdalive, filloi të quhet i Fekovitëve, pasi ishte bërë pronë e Ejup Malishevës.
Aty ku fillon sokaku i Klaiqëve gjendej shtëpia e myftiut Abdurrahim efendiut nga Lllashtica, i cili e ka varrin në oborr të xhamisë Atik, dhe kishte djalë Alisahitin e martuar me Fetijen, vajzën e Ramush Osmanit. Në afërsi ishte mejtepi i hoxha Hanmit, që pas vitit 1945 njihej me emrin “shtëpia e emigrantëve”. Aty afër banonin makreshët me xha Rifatin. Në ballë gjendej furra e xha Miftarit. Shefqet Mustafa ishte kryetar i Gilanit dhe njeriu i respektuar në Kuvendin e Kosovës, si dhe kryetar i Shoqatës Basketbollistike të Kosovës dhe kryetar i Lidhjes Futbollistike të Jugosllavisë.
Isha fëmijë, me orë shikoja Jakup Mahmutin – jorganxhiun që kishte shitoren afër xhamisë “Shehzade” (Xhamisë së Madhe), ku punonte jorganat, jastukët të mbushur me kashtë, pastaj edhe shilte. Ishte i vetmi me këtë profesion në qytet, por ishte artist i punës. Banorët e kësaj mëhalle, shumica, dinin gjuhën rome, pasi afër ishte Karadak mëhalla, e banuar me rom. Kjo lagje e kishte muzikën falas me dëgjue, pasi romët me instrumentet e tyre çdo ditë bënin muzikë!
Ne tokat e Halimit u vendosën përlepnicët, shumica ishin kopshtarë ose ushtronin zeje (zanate) në rregullimin e automobilave. Këtu banonte edhe familja e dr.Emrushit, defektolog, që kishte bashkëshorte motrën e Rashit Gashit.
Nuk mundem me përfundue këtë tekst pa e përmendur Vesel Koretinin, arabaxhiun dhe Mulla Sefën me shtëpinë me numrin 22, që kishte fëmijë: Muharremin, jurist dhe Mustafën, agronom. Këta dy fëmijë dhanë një plejadë intelektualësh, në radhë të parë në mjekësi. Mulla Sefa, i cili vdiq me rastin e vizitës në Turqi, kishte lënë pasuri të madhe respekti në mesin e gjilanasve.
Sqarim: Terminologjia që ka pasur përdorim te popullata është përdorur në origjinal…Mirëkuptim nga ju lexues të nderuar!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here