Home LAJME Kraja troç Qosjes: Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para vdekjes

Kraja troç Qosjes: Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para vdekjes

185
0
SHARE

Shkrimtari Mehmet Kraja në një shkrim të publikuar mbrëmë në Gazetën Express ka thënë se drejtuesit e Institutit Albanologjik në Prishtinë, duke mos e lejuar vendosjes e shtatores së Anton Çettës, po ia ruajnë vendin aty shkrimtarit Rexhep Qosja. Kraja, me këtë rast, haptas ka goditur Qosjen duke i thënë: Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para se të vdesin, me shkrimtarë nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë.

Në shkrimin e publikuar në G“Rikthimi i kohëve të errëta”, Kraja, drejtuesit e Institutit Albanologjik, i ka quajtur shkencëtarë minorë dhe makiavelistë. Udhëheqësi i Institutit Albanologjik Hysen Matoshi ka deklaruar para disa ditësh se oborri i këtij institucioni nuk është vend adekuat për shtatoren e Anton Çettës.

Sipas tij, për një figurë si ajo e Çettës, shtatorja do të duhej të vendosej në ndonjë shesh të madh të qytetit, i cili do të pagëzohej edhe me emrin e mbledhësit të folklorit e udhëheqësit të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në fillim të viteve ’90.

Por, sikur edhe shumë të tjerë, që kanë reaguar këto ditë, edhe Kraja ka thënë se ai vend po ruhet për shkrimtarin Rexhep Qosja.

“Zhgjyri kulturor dhe politik na doli në sipërfaqe edhe me shtatoren ose bustin e Anton Çettës (po e shkruaj me dy “t” për respekt, jo pse ka ndonjë kuptim). Tani më vjen për të qeshur nga shqetësimi që ndihet në ajër për një gjest jokulturor, poshtërues për memorien historike të këtij vendi, i cili vjen nga një institucion simbol, siç është Instituti Albanologjik, por që shumë vjet e këndej i pushtuar nga ca shkencëtar minorë dhe makiavelistë. Çudi për t’u çuditur nuk është pse Instituti Albanologjik në oborrin e tij nuk i bën vend Anton Çettës (mbështetës i LDK-së), sepse atë hapësirë ia ka rezervuar Rexhep Qosjes (mbështetës i PDK-së), por të habit fakti pse njerëzit nuk e paskan kuptuar tanimë se Instituti Albanologjik, edhe Instituti i Historisë, me punën që bëjnë që nja njëzet vjet e këndej nuk nderojnë më askënd, as Ali Hadrin pak më lart, as Anton Çettën apo Rexhep Qosjen pak më poshtë” ka shkruar Kraja.

Shkrimtari Kraja, për këtë, nuk e ka lënë pa e goditur edhe vetë Rexhep Qosjen duke ia thënë troç se vetëm diktatorëve u caktohen vendet e përmendoreve para vdekjes.

“Në fund, në ndihmë të atyre që e kanë mendjen e turbullt dhe ende janë të përhantë, mund të shpreh një mendim: Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para se të vdesin; me shkrimtarë nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here