Home LAJME Liberalizimi i vizave nxit serbët e Veriut të marrin pasaporta të Kosovës

Liberalizimi i vizave nxit serbët e Veriut të marrin pasaporta të Kosovës

1290
0
SHARE

Në prag të liberalizimit të vizave, askush nuk përmend pasaportat e serbëve të Kosovës të lëshuar nga “Bordi i Koordinimit” nga shteti serb. Ata mbeten në geto, shkruan për DW Milica Andriç, një studiuese nga Mitrovica.

Të mërkurën e 18 korrikut, Komisioni Evropian miratoi rekomandimin për të lejuar qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm ne zonën e Shengenit, i cili duhet të kaloj në Parlamentin Evropian dhe në vjeshtë të jepet vendimi përfundimtar në Këshillin e Bashkimit Evropian. Ky vendim u prit nga qytetarët e Kosovës si déjà-vu – në maj të vitit 2016 ata festuan një rekomandim të ngjashëm. Por pastaj u kushtëzuan me përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, i cili u vonua për një kohë të gjatë. Kjo është arsyeja pse qytetarët e Kosovës kësaj radhe janë më të kujdesshëm. Nuk mund të përjashtohet që rekomandimi të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Lajm pozitiv për serbët e Kosovës

Për serbët e Kosovës lajmi për liberalizimin e mundshëm të vizave për Kosovën është në përgjithësi pozitiv, edhe pse kjo temë është injoruar në diskursin privat si edhe në atë publik. Është e rëndësishme të thuhet se qytetarët serbë që janë të regjistruar në Kosovë kanë dy pasaporta, duke përfshirë edhe atë nga Serbia – të lëshuara nga Bordi Koordinues. Por ata nuk mund të udhëtojnë pa vizë. Ky ishte një nga kushtet për liberalizimin e vizave për Serbinë, në gusht të vitit 2009. Ky kushtëzim nga Komisioni Evropian shpjegohet me “potencialin për migracion ilegal” dhe paaftësinë e shtetit serb për të garantuar vërtetësinë e të dhënave në këto dokumenta të udhëtimit.

Kështu që serbët e Kosovës tani kanë tre lloje të pasaportave: Lloji i parë, atë biometrike i lëshuar në Rashkoj në gusht të vitit 2009; I dyti; ato që janë të lëshuar nga Bordi Koordinues pas gushtit të vitit 2009; I treti; pasaportat normale serbe të marra nga regjistrimet e rreme si banorë në Serbi. Që nga themelimi i Bordit Koordinues deri në korrik 2016, ky organ ka lëshuar 97,809 pasaporta. Ekziston po ashtu edhe një lloj i katërt i pasaportës, ai i Kosovës, nga i cili ka ende shumë pak.

Grupi më i izoluar në Ballkan

Për këta pak serbë me pasaporta të Kosovës, liberalizimi do të lehtësojë udhëtimin. Për ata që kanë një pasaportë normale serbe, asgjë nuk ndryshon, ata munden po ashtu të udhëtojnë lirisht. Por ata që kanë vetëm pasaporta nga Bordi Koordinues do të mbeten grupi më i izoluar në Ballkan, pasi askush nuk përmend liberalizimin e vizave për dokumentet e tyre.

Nga komuniteti serb në Kosovë shumë mendojnë se liberalizimi i vizave do hapë rrugë për emigrimin e të rinjve, ku partitë nga krahu i djathtë shpresojnë që nga njëra anë të zvogëlojnë presionin shoqëror dhe nga ana tjetër të dobësojnë partitë si Vetëvendosja. Megjithatë është po aq reale një rritje e migrimit të të rinjve nga komuniteti serb.

Në mungesë të të dhënave relevante për numrin e serbëve në Kosovë është shumë e pamundur të bëhet një vlerësim i drejtë, megjithatë bazuar në anketat vjetore të opinionit publik dhe të dhënave nga Ministria e Punëve të  Brendshme të Kosovës, mund të thuhet se përqindja e serbëve që posedojnë letërnjoftimin e Kosovës në katër komunat veriore me shumicë serbe është midis 65 dhe 75 % .

Vështirësitë e serbëve pa dokumente të Kosovës

Në mesin e atyre që nuk kanë dokumente të Kosovës ka njerëz, të cilët ose nuk kanë pasur nevojën për dokumentet ose janë ende duke luftuar me dilemat emocionale dhe morale për marrjen e shtetësisë së Kosovës. Por ka edhe nga ata që janë të penguar plotësisht në marrjen e shtetësisë së Kosovës, pra të munden të marrin letërnjoftimin dhe pasaportën e Kosovës. Qytetarët mbeten të bllokuar nga sistemi burokratik, ku kryesisht nuk po pranohen çertifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes që janë të lëshuara pas qershorit të vitit 1999. Dhe në mënyrë sporadike hidhen poshtë listat e lëshuara nga spitalet që veprojnë sipas sistemit serb.

Pra, një person i cili ka një dokument serb dhe që jeton në Kosovë dhe që nuk mund të marrë dokumente të Kosovës, de facto është pa shtetësi ndërsa jeton në territorin e Kosovës. Këta persona nuk mund të hapin llogari bankare, nuk mund të jenë të punësuar në institucionet e Kosovës, nuk munden të lëvizin jashtë shtetit pos në Serbi,(por jo në Shqipëri, Maqedoni apo dhe në Mal të Zi)dhe më e rëndësishmja, nuk mund të regjistrojnë pronën e tyre. Qeveria për zgjidhje të këtij problemi shpall vetëm vendime pompoze, sikur ai i marsit të vitit të kaluar i cili nuk ka sjellë ndonjë ndryshim, mbetet të shihet iniciativa që u fillua këtë muaj.

Megjithatë së paku qasja fizike për dokumente të Kosovës është më e lehtë që nga dhjetori i vitit të kaluar, ku në katër komunat veriore të Kosovës janë vendosur zyra lokale për regjistrim. Kështu që qytetarët e kësaj pjese nuk e kanë të nevojshme të udhëtojnë në pjesën me shumicë shqiptare për të bërë aplikim për dokumente.

Lëvizja e mundshme pa viza – impuls për serbët të marrin dokumente të Kosovës

Nëse me pasaportat e Kosovës bëhet e mundshme lëvizja pa viza, kjo do të jetë një arsye e fortë për shumicën e serbëve të regjistrohen si qytetarë të Kosovës. Por atëherë ata do të duhet së pari të përballohen me problemin që hasin shumë qytetarë, të cilëve në masë të madhe ju është refuzuar e drejta për dokumente dhe për marrjen e shtetësisë së Kosovës. Ky problem prek kryesisht serbët dhe romët, por edhe komunitetet e tjera pakicë në Kosovë, gjë që tregon se reformat që vijnë nga BE nuk janë domosdoshmërisht efektive, për shkak se ka probleme ende në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Nga ana tjetër në raportin vjetor të Avokatit të Popullit në Kosovë përshkruhen në detaje problemet në regjistrimin e popullsisë. Qasja për marrjen e dokumenteve është gjithashtu një nga temat në raportin e të drejtave të njeriut nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së. Komisioni Evropian me sa duket nuk sheh ndonjë problem duke thënë se liberalizimi i vizave është më shumë vendim politik se sa proces teknik dhe si e tillë i shërben interesave të stabilitetit. Qytetarët me pasaporta normale janë vetëm me fat që pas njëzet vitesh interesat e tyre përputhen me interesat e BE-së në këtë rast.

Milica Andriç, 1991, është studiuese në organizatën joqeveritare LINK nga Mitrovica e Veriut. Ajo merret kryesisht me ligjet dhe politikat që kanë ndikim të veçantë në komunitetet pakicë në Kosovë. /DW/.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here